Ministri Krasniqi dhe Cana diskutojnë për sfidat e sportit në Kosovë


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi e ka pritur të hënën në një takim futbollistin e famshëm, Lorik Cana, i cili premtoi se nuk do të ndalet së angazhuari, që më ndikimin e tij të avancojë futbollin e Kosovës.Në këtë rast, ministri Krasniqi e ka përgëzuar futbollistin e kombëtares shqiptare, Lorik Canën, për sukseset që ka arritur deri tash, duke e quajtur atë si një nga ambasadorët më të mëdhenj të Kosovës.
Ai tha se suksesi që ka arritur Cana i ka bërë krenar të gjithë qytetarët e Kosovës.


Me theks të veçantë, Krasniqi në këtë takim ka folur për sfidat që ka sporti kosovar e në veçanti futbolli, ndërsa pohoi se po bëhen të gjitha përpjekjet që të ketë përmirësim të dukshëm.
Më tutje, ministri Krasniqi duke e falënderuar Canën për kontributin që ka dhënë deri tash për Kosovën, si në sport dhe fusha tjera, kërkoi edhe një herë nga ai që ta shfrytëzojë ndikimin e tij, me qëllim të avancimit të sportit të Kosovës.
Kurse futbollisti shqiptar, që aktualisht luan në ekipin turk Galatasaray, Lorik Cana falënderoi ministrin për pritjen dhe gatishmërinë e madhe të treguar për bashkëpunim.
Cana foli për format në të cilat mund të koordinohen punët dhe premtoi se nuk do të ndalet së angazhuari, që më ndikimin e tij, të avancojë futbollin e Kosovës.
Përpos sportit, ministri Krasniqi dhe Lorik Cana kanë biseduar edhe për sfera tjera të zhvillimit në Kosovë, sidomos për trashëgiminë kulturore, fushë kjo për të cilën Cana tha se e ka pasion dhe shprehi gatishmërinë që të kontribuojë edhe në këtë drejtim.
(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment