Më 17 gusht nis rigjykimi për Haradinajn

Rigjykimi për Ramush Haradinaj në Tribunalin e Hagës do të fillojë nga data 17 gusht.

Në seancën dëgjimore të rradhës për rigjykimin e pjesshëm të Ramush Haradinajt, është vendosur që gjykimi të nisë më 17 gusht, me arsyetimin se deri atëherë të gjitha materialet do të jenë të gatshme për fillimin e procesit.

Prokuroria dhe pala mbrojtëse janë pajtuar që pas nisjes së gjykimit seancat të mbahen në baza dyjavore, për shkak se gjykatësit janë të angazhuar edhe në procese të tjera.

Gjykata nuk ka qenë në gjendje të bëjë të ditur se sa kohë do të zgjasë procesi gjyqësor.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në një deklaratë për mediat kosovare, ka thënë se stërzgjatja e këtij procesi është e pakuptimtë.

Ai tha se, AAK shpreson që procesi të përfundojë sa më shpejt dhe të vërtetohet edhe njëherë pafajësia e Ramush Haradinajt, Lah Brahimajt dhe Idriz Balajt.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment