Mbyllja e “Servete Maçit”, nxënësit bojkotojnë provimin

Nxënësit e shkollës “Servete Maçi” boj-kotuan dje provimin përfundimtar të Muzikës për këtë vit shkollor.Ky vendim i mbështetur nga prindërit erdhi në shenjë proteste për mbylljen e shkollës ku ata mësojnë. Peticioni i firmosur prej tyre i është dërguar tashmë ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj. “Ministria e Arsimit duhet të ndërhyjë. Fëmijët tanë duan të mësojnë instrumentet muzikore dhe nuk është e drejtë që t’i largojnë prej këtu. Fare mirë Drejtoria Arsimore mund të gjejë një shkollë tjetër për ta kthyer në gjimnaz që nuk ka profil artistik”, thanë dje disa nga prindërit. Vetë nxënësit gjithashtu nuk duan të largohen. Të vetmit që nuk reagojnë hapur janë mësuesit, të cilët kur i pyet për këtë ndryshim, flasin me rezerva. Disa madje nën zë pohojnë se shkollës do t’i humbte tradita, nëse do të transferohej. “Instrumentet muzikore transferohen dhe mësuesit gjithashtu, por në çdo vend të botës tradita i jep emrin e mirë një shkolle, emër që “Servete Maçi” e ka që prej 95 vjetësh”, tha dje njëra nga mësueset e kësaj shkollë. Duke mos dashur të japë emrin, ajo pohoi se i gjithë stafi për të ruajtur vendin e punës është gati të shkojë atje ku caktohet. Në fakt, transferimi i nxënësve te shkolla “Lidhja e Prizrenit” nuk do të shoqërohet me largim nga puna të arsimtarëve. Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore ka rikonfirmuar sërish deklaratën e saj të dy ditëve më parë. “Nuk do të ketë asnjë shkarkim mësuesish. Ata thjesht lëvizin bashkë me nxënësit në shkollën tjetër. Arsimtarët të rrinë të qetë”, tha Bekteshi. Në shkollën “Hasan Tasini” dhe “Konferenca e Pezës” nxënësit dhe prindërit nuk kanë bërë zhurmë, edhe pse do të transferohen në ambiente të tjera. Problemin më të madh duket se e kanë nxënësit e një prej shkollave më të vjetra të muzikës në vend “Servete Maçi”. Janë rreth 150 nxënës, për të cilët, sipas Drejtorisë Arsimore, do të vendosen në dispozicion ambientet e shkollës “Lidhja e Prizrenit”. “Bëhet fjalë për 7 klasa të mëdha bosh dhe 11 ambiente të vogla, të cilat do të shfrytëzohen për të vegjlit e muzikës”, është shprehur drejtoresha e Drejtorisë Arsimore të kryeqytetit. Ajo shtoi se numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare ka shënuar rënie të ndjeshme edhe për shkak të numrit të ulët të lindjeve. Te shkolla ‘Hasan Tahsini’ numërohen 341 nxënës, në shkollën ‘Konferenca e Pezës’, 546 dhe në shkollën “Servete Maçi” 500 nxënës. Ndërkaq, vetëm në gjimnazin “Sami Frashëri” ka 1800 nxënës. Mësimi me dy turne në gjimnaze bën që nxënësit të përfundojnë mësimin rreth orës 21:00. “Janë në një moshë problematike dhe mësimi me dy turne është shqetësim për ne”, është shprehur Bekteshi.

Shkollat

“Servete Maçi”
500 nxënës
“Konferenca e Pezës”
546 nxënës
“Hasan Tasini”
341 nxënës

“Sami Frashëri”
1800 nxënës
“Ismail Qemali”
1780 nxënës
“Qemal Stafa”
1775 nxënës

Reagimi i Këshillit të muzikës

Këshilli i Muzikës Shqiptare reagoi dy ditë më parë në mbështetje të nxënësve dhe mësuesve shkollës artistike 9-vjeçare “Servete Maçi”. Në një deklaratë për mediat, Vasil Tole, kryetari i Këshillit të Muzikës Shqiptare, e cilësoi si të drejtë legjitime të nxënësve vazhdimin e edukimit arsimor e posaçërisht atë artistik në ambientet e kësaj shkolle shumë të njohur për vlerat në fushën e edukimit në këto 100 vitet e fundit.

Mësimi me 2 turne në gjimnaze

Thuajse të gjitha gjimnazet e kryeqytetit bëjnë mësim me dy turne. Me kurrikulën e re bëhen edhe lëndët me zgjedhje, ndaj nxënësit i duhet që të rrijë deri në 8 orë në shkollë. Kaq, vetëm njëri turn. Të dy turnet janë 16 orë, çka do të thotë se gjimnazistët janë gjithë kohës jashtë shtëpisë. Megjithëse ka një fluks tepër të madh në shkollat e mesme, nuk është ndërmarrë asnjë masë për të ndërtuar shkolla të reja apo për të zgjeruar ambientet.



(ZIRINA LLAMBRO/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment