MASH: Rezultatet e Letërsisë dalin pas datës 15 qershor

 
Përgjigjet e testit të Letërsisë do të dalin vetëm pas datës 15 qershor. Ndonëse rregullorja e Maturës përcakton 10 ditë kohë për shpalljen e tyre, Ministria e Arsimit ka marrë një tjetër vendim.”Për të mos i ngarkuar më shumë kandidatët dhe për t’u dhënë qetësi për provimin e dytë, që është më i vështiri, kemi vendosur që rezultatet t’i afishojmë pasi të jepet ky provim”, sqaroi Isuf Neli, drejtori i Burimeve Njerëzore dhe Koordinimit në MASH. Dje, ministri Tafaj ka thirrur në një mbledhje urgjente grupin e korrigjuesve të testeve, të cilët nisin sot nga puna. Janë 270 mësues të trajnuar, të cilët do të merren me vlerësimin e testeve, të grupuar në 6 qendrat e vlerësimit. “Janë zgjedhur mësuesit më të mirë, janë të trajnuar paraprakisht dhe korrektimi për herë të parë bëhet nga një komision me 4 anëtarë, çka do të thotë se transparenca do të jetë në nivele maksimale”, sqaroi Neli. Sipas tij, një tjetër risi është edhe ndarja e testeve në qendrat e vlerësimit. “Provimet që janë bërë në një klasë, do të korrigjohen nga i njëjti grup vlerësuesish. Është përzgjedhur kjo mënyrë për të evituar çdo mundësi apo dyshim për kopje brenda klasës. Nëse komisioni i vërteton, atëherë penalizimet do të jenë si për nxënësin që ka kopjuar, ashtu dhe për atë që i ka dhënë informacionin”, tha drejtori i Burimeve Njerëzore në MASH. Ai theksoi se transporti i testeve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit, Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë dhe anasjelltas, do të bëhet nën masa të rrepta sigurie. Sa u përket aludimeve për kopjim në provimin e Letërsisë, Neli sqaroi se masat kanë qenë tejet të forta, por nuk përjashtohet mundësia për raste sporadike. “Dua të theksoj se ndërgjegjësimi ka qenë maksimal. Masat e kontrollit gjithashtu. Në çdo lloj provimi, kudo që të bëhet, mund të ndodhin edhe të papritura. Por ajo që di të them me siguri është se maturantët këtë vit e kanë pasur të qartë se kapja me kopje u kushton jo vetëm diplomën e maturës, por edhe shkollën e lartë”, tha Neli. Përsa i përket skemës së vlerësimit, ajo është standarde për çdo maturant. Sipas rregullores, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga kandidati për kërkesën përkatëse mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Megjithatë, për shkak të hapësirave krijuese që ka pasur testi, korrigjuesit do të jenë objektivë për të dhënë pikë edhe për përgjigje të pjesshme.

41 mije
maturantët dhanë dy ditë më parë provimin e parë të detyrueshëm, atë të Letërsisë. Nëse nuk arrijnë të marrin rezultate pozitive nuk do të marrin diplomën e Maturës

Përjashtohen 4 maturantë

Katër maturantë nga rajoni i Sarandës janë penalizuar në provimin e parë të Letërsisë. Maturantët e përjashtuar nuk kanë zbatuar rregulloren e Maturës Shtetërore, pasi janë kapur me materiale të palejueshme, me telefona celularë me kufje. Sipas drejtoreshës së Zyrës Arsimore Sarandë, Lina Vaso, bëhet e ditur se K. B., maturante e shkollës së mesme jopublike “Dea 2000″, I. D., e shkollës së mesme “Bido Sejko”, Konispol, K. Sh., edhe kjo nga shkolla e Konispolit dhe E. S., maturant i shkollës “5 Dëshmorët” në Ksamil, kanë shkelur rregulloren e Maturës Shtetërore pasi janë kapur nga administratorët me kufje dhe celularë me tendencën për të kopjuar. Në këto kushte, të katër nxënësit janë nxjerrë jashtë nga salla e provimit dhe janë lenë në një sallë tjetër, në pritje të mbarimit të kohës së provimit, duke u deklaruar kështu të përjashtuar nga ky provim. Sipas burimeve nga zyra arsimore mësohet se këta nxënës janë penalizuar vetëm për provimin e Letërsisë, ndërsa do të futen në provimet e tjera, por nuk do të mund dot që këtë vit të shkojnë në shkollë të lartë. Këtë të drejtë do të kenë vitin që vjen, pasi të japin provimin e Letërsisë, për të cilin u edhe penalizuan.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment