Maqedonia voton, në garë 7 parti shqiptare, 2 koalicione maqedonase

 
Në Maqedoni sot 1 821 122 qytetarë me të drejtë vote janë thirrur për të votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kutitë e votimit në 2976 vendvotime u hapën në ora 07.00 dhe do të mbyllen në ora 19.00.
Qytetarët do të deklarohen për 21 lista të partive, koalicioneve dhe lista qytetare që garojnë në këto zgjedhje. Në garën zgjedhore konkurrojnë 7 parti shqiptare: BDI, PDSH, RDK, DR, BDSH, PPD dhe BDK. Ndërsa, në kampin politik maqedonas janë dy koalicionet e mëdha: ai i udhëhequr nga VMRO-DPMNE e kryeministrit të deritanishëm Nikolla Gruevski dhe koalicioni i partive opozitare me Lidhjen Socialdemokrate (LSDM), të cilat përfshijnë të gjitha partitë e tjera të pakicave.
Dje kanë votuar diaspora, të sëmurët dhe invalidët, të burgosurit si dhe personat e shpërngulur brenda vendit.
Diaspora për herë të parë ka shfrytëzuar të drejtën për të zgjedhur tre deputetët e saj në tre njësi të reja zgjedhore. Votim dje është zhvilluar në 36 përfaqësi diplomatike të Maqedonisë jashtë vendit, ndërsa të drejtë vote kanë pasur vetëm 7258 votues. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Çikago bojkotoi zgjedhjet dhe ka tërhequr kandidatin e saj me akuzat për manipulime dhe eliminimin të trupit të tyre votues të regjistruar. Të drejtën e votës dje e shfrytëzuan 2222 të burgosur si dhe 407 persona të shpërngulur brenda vendit. Procesi zgjedhor vëzhgohet nga 3700 vëzhgues vendor dhe 489 vëzhgues të huaj, kryesisht nga misioni OSBE/ODIHR.
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë të gjitha masat për sigurimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Mbi 7 mijë policë janë trajnuar për të zbatuar detyrat për të ndjekur dhe siguruar në një distancë prej 100 metrave procesin zgjedhor dhe evitimin e parregullsive të mundshme. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se janë kryer të gjitha përgatitjet për zgjedhjet dhe se materiali zgjedhor është dorëzuar tek organet përgjegjëse për zbatimin e procesit të votimit.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment