Manchester United, 11 milionë për Shaqirin

Manchester United është i gatshëm t’i ofrojë 11 milionë euro, për ta bërë të vetin kartonin e Xherdan Shaqirit. Mediat angleze shkruajnë se menaxheri i ‘Djajve të Kuq’, Sir Alex Ferguson është fans i futbollistit shqiptar, të cilin dëshiron ta transferojë në Old Trafford. Por 19-vjeçari thotë se nuk është në dijeni për interesimin e gjigantit anglez.

Manchester United e ka marrë me seriozitetin më të madh mundësinë e transferimit të Xherdan Shaqirit në Old Trafford. Gjiganti britanik, BBC shkruan se ‘Djajtë e Kuq’ janë të gatshëm t’i paguajnë 11 milionë euro për talentin shqiptar të Baselit.

Sipas mediave zvicerane, ky do të ishte transferi i vitit në shtetin helvetik. Gjithnjë sipas BBC-së, menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson është një fans i madh i 19-vjeçarit nga Gjilani.

Trajneri skocez e ka pasur rastin ta shohë ‘Shaq’ të shtunën që shkoi, kur ai e përfaqësoi Zvicrën në Wembley të Londrës, kundër Anglisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Euro 2012, e cila përfundoi 2:2.

Po ashtu, ‘Fergie’ do të mund ta përcjellë Shaqirin edhe në Evropianin U21, i cili do të mbahet muajin e ardhshëm në Danimarkë. Për futbollistin shqiptar, transferimi te kampioni i Anglisë, njëherësh nënkampioni i Evropës do të ishte një ëndërr.

Por, mesfushori i lindur në Gjilan nuk është në dijeni për një interesim të mundshëm të gjigantit anglez. “Nuk jam në njohuri për një interesim të mundshëm të Manchester United për mua”, ka thënë Shaqiri përmes telefonit, për uebfaqen zvicerane, 20min.ch.

Ndërkohë, mediat angleze shkruajnë se edhe Liverpooli është në garë për Shaqirin, i cili ka kontratë me Baselin deri në qershor të vitit 2014.

Mirëpo, përveç anglezëve, talentin shqiptar e kërkojnë edhe skuadrat italiane, Juventus, Milan e Inter, por edhe ato gjermane, Borussia Dortmund, Bayern Munchen e Hamburg.

Momentalisht, Shaqiri po mendon të koncentrohet vetëm tek ekipi U21 i Zvicrës, duke i lënë anash zërat për një ndërrim të mundshëm të mjedisit gjatë verës. Ai dëshiron të zbavitet me ekipin e të rinjve të Zvicrës, për të menduar më pas për afatin kalimtar të verës.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment