Lipjani dhe Novobërda sukses i integrimit dhe tolerancës

Në kuadër të vizitave të parapara me agjendën e koordinimit me komunat e Republikës së Kosovës, ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku është takuar me kryetarin e komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe me kryetarin e komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri.

Takimet kanë për qëllim avancimin e komunikimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal në procesin e integrimit evropian, ku për prioritet në këtë fazë janë liberalizimi i vizave dhe marrëveshjet për tregti të lirë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Faza e tanishme e këtij procesi lidhet ngushtë me progresin e institucioneve të Kosovës në fushën e ri-integrimit të qytetarëve të riatdhesuar dhe atyre që janë në proces të riatdhesimit, që realizohet në bazë të implementimit të ligjit për ripranim.

Ministrja Çitaku tha se “në mënyrë që procesi i ri-integrimit të qytetarëve të riatdhesuar të jetë sa më i suksesshëm nevojitet mbështetje e dyanshme dhe koordinim sa më i mirë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal. Prandaj, mobilizim i institucioneve tona do të na e lehtëson përballjen me këtë sfidë dhe do t’i kontribuojë mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”.

Gjatë këtyre vizitave, Çitaku është informuar më në detaje rreth gjendjes aktuale të procesit të riatdhesimit në Komunën e Lipjanit dhe komunën e Novobërdës dhe që të dy komunat kanë punuar shumë në këtë aspekt dhe mund të merren si shembull i mirë dhe si sukses i integrimit dhe tolerancës. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment