Lila i mërzitur, s’u beson syve për kartonin e kuq

Ka luajtur për herë të parë edhe si mesfushor i majtë. Shumë e çuditshme, por gjithsesi, futbollisti u përpoq që të bënte me aq sa të mundte detyrat që i vuri trajneri i Kombëtares. Por, duke luajtur jo në pozicion e tij, si dhe duke dalë me kartonin e kuq, futbollisti u ndëshkua shumë, edhe për faktin se në tribunë kishte mjaft menaxherë, të cilët në rastin konkret nuk arritën të shikonin Lilën e vërtetë. Madje, lojtari ka qenë dje një nga më të mërziturit në ekipin kombëtar, edhe për faktin se do të mungojë ndaj Francës në shtator, për shkak të kartonit të kuq. Futbollisti ka kërkuar mendimin e një eksperti si Lorik Cana, për sa u përket kartonëve dhe natyrisht që shpjegimi ka qenë më shumë se i qartë: “Nuk ishe për karton të kuq. Më së shumti, të verdhë. Madje, edhe vetë boshnjakët u çuditën kur panë se të nxori me karton të kuq”, i ka pohuar Cana. Kujtojmë se Lila është një nga futbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar dhe jo pa qëllim, ai ka qenë së fundmi edhe në shënjestrën e disa klubeve, si Dinamo e Bukureshtit, Aris i Selanikut dhe disa skuadra turke. Tani pritet që ndeshja me Bosnjën të mos ketë ndikuar aspak në kalimin e lojtarit në një skuadër elitare në Europë.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment