Lidington: Ushtroni përgjegjësitë kushtetuese

Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën z David Lidington, zhvilloi sot një takim me kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha. Ministri Lidington tha se Mbretëria e Bashkuar vlerëson angazhimin thelbësor të Shqipërisë në Afganistan dhe gadishmërinë e saj për të mbështetur operacionet e Nato-s në Libi dhe Tunizi, si tregues të qartë të angazhimit të Shqipërisë në Nato dhe shprehu gadishmërinë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve.

Ministri Lidington e siguroi kryeministrin se Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse kryesore dhe e fuqishme e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perendimor dhe në mënyrë të veçantë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ai theksoi se plotësimi i kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian e bëjnë procesin e anëtarësimit të besueshëm dhe solid.

Kryeministri Berisha e falënderoi ministrin britanik për të gjithë mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë gjatë periudhës së tranzicionit demokratik, në mënyrë të veçantë në anëtarsimin në NATO dhe procesin e integrimit në BE.

Në këtë kuadër kryeministri siguroi për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe angazhimet e vendit në kuadrin e NATO-s.

Duke e cilësuar integrimin në BE, si projektin madhor të shqiptarëve, kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare po punon me angazhim maksimal për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria ka në kuadrin e integrimit në BE. Ai nënvizoi që për të dhe qeverinë e tij ky proces bazohet në performancë dhe meritë.

Kryeministri theksoi se reformat e integrimit në BE të ndjekura nga qeveria kanë një impakt transformues dhe modernizues rrënjësor për Shqipërinë.

Ministri Lidington vlerësoi maksimalisht progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë gjatë viteve të fundit, si dhe rolin personal të kryeministrit Berisha, të qeverisë dhe Partisë Demokratike të udhëhequra prej tij, në themelimin dhe konsolidimin e demokracisë shqiptare, transformimin rrënjësor të vendit dhe modernizimin e Shqipërisë nga një vend diktatorial dhe i prapambetur në një shtet demokratik, thuhet në uebfaqen e kryeministrit.

Në takim u diskutua edhe për zgjedhjet e fundit lokale dhe zhvillimet pas tyre.

Kryeministri Berisha, duke nënvizuar përmirësimet e infrastrukturës zgjedhore në dy vitet e fundit i konsideroi zgjedhjet e 8 majit si zgjedhjet më të mira dhe transparente të zhvilluara deri më sot. Kryeministri Berisha u shpreh i vendosur për garantimin e barazisë së votës dhe numërimit të drejtë të çdo vote të hedhur nga qytetarët shqiptarë.

Pasi mbështeti plotësisht parimin që cdo votë duhet numëruar, Ministri Lidington, theksoi se në përfundim të procesit zgjedhor palët duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese, institucionale dhe politike në Parlament dhe organet e tjera të zgjedhura. 

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment