Lidington: Nisni dialogun

Ministri Britanik i Shtetit për Europën, David Lidington i cili po viziton Shqipërinë për herë të parë viziton që kur ai u bë ministër në muajin maj, të vitit 2010, është takuar mëngjesin e sotëm me Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto.


Në një konferencë për përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto, Ministri Britanik i Shtetit për Europën, David Lidington i ka bërë thirrje palëve në Shqipëri të nisin dialogun politik për të bërë të mundur përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

“Jemi të shqetësuar për situatën në Shqipëri. Përsa i përket detajeve ato u takojnë instutucionve, gjykatave por ajo që ka rëndësi nuk është rezultati sesa fakti që palët të bëjnë përpjekje për të gjetur mirëkuptim që të ketë një qeveri kushtetuese dhe një opozitë kushtetuese. Mund të ketë debate por këto duhen bërë brenda kuadrit demokratik dhe ligjor. Reformat kanë rëndësi për integrimin dhe realizimi i tyre kërkon angazhimin dhe përkushtimin e palëve në Shqipëri” theksoi Lidington.

Ai theksoi se Bashkimi Europian kërkon që Shqipëria të kapërcejë ngërçin politik ndërsa nga liderët të marrin masa për të rivendosur dialogun politik që më pas të vijohet me reformat të cilat do të bëjnë të mundur integrimin e Shqipërisë.

“Pas përfundimit të shpalljes së rezultateve ajo që ka rëndësi është që opozita ta vërë qeverinë në pozita pune që ajo të japë llogari në Parlament por gjithashtu opozita duhet të përballojë sfidën e saj por kjo duhet të bëhet nëpërmjet parlamentit” theksoi Lidington.

Ndërkohë nga ana e tij Haxhinasto theksoi se “Tani është koha që gjykatat dhe institucionet të flasin dhe politika duhet të heshtë. Kjo mazhorancë është solide ashtu siç u tregua edhe nga vota e këtyre zgjedhjeve”.

Më herët gjatë rrugës për në Tiranë, Lidington tha se “ Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqimisht dëshirën e Shqipërisë për t`u bashkuar me BE-në. Megjithatë, për të përparuar më tej, është me rëndësi që politikanët dhe institucionet shqiptare të demonstrojnë pjekurinë e tyre demokratike dhe kredencialet evropiane. Unë pres që të diskutoj këtë axhendë me partnerët shqiptarë në Tiranë”.

Ndërkohë mësohet se Lidington do të takohet me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha si dhe me kreun e opozitës për të diskutuar mbi gjendjen politike, axhendën e reformave të BE-së, dhe prioritetet e Mbretërisë se Bashkuar për sundimin e ligjit. Ai do të bëjë gjithashtu edhe një takim të shkurtër me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. 

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment