Libri, Shqipëria në sytë e reporteres italiane

Shkrimtarja torineze Rosita Ferrato ka botuar librin “Shqipëria, vështrime të një reportereje”, një larmi vëzhgimesh dhe të dhënash historike, turistike, sociologjike dhe zakonore mbi Shqipërinë, i cili do të prezantohet në 9 qershor në Torino të Italisë.

Libri mbi realitetin shqiptar është fryt i punës kërkimore dhe i disa udhëtimeve të autores në vendin tonë gjatë vitit 2010, i cili do të prezantohet nga gazetarët Stefanella Campana dhe Benko Gjata në Circolo dei Lettori të Torinos.

“Shqipëria, vështrime të një reportereje “ është një rrugë e ndërmjetme mes shënimeve të udhëtimit dhe reportazhit të mirëfilltë, i cili nxit lexuesit të udhëtojnë drejt Shqipërisë, një vënd që është ende i gjithi për t’u zbuluar.

“Ideja e Shqipërisë që kisha, ose më mirë, që nuk kisha, pasi ishte një vend të cilin nuk arrija dot ta përkufizoja, ishte ajo e një vendi të afërt, por pak të frikshëm, kaq i madh ishte për mua misteri që e rrethonte,” është shprehur shkrimtarja Ferrato.

Rosita Ferrato gjatë karrierës së saj si gazetare profesioniste ka punuar për RAI-n, televizioni publik italian, fillimisht pranë Orkestrës Sinfonike Kombëtare dhe më pas në programet televizive “Il Pianeta delle Meraviglie”, “Ambiente Italia” dhe në edicionin e lajmeve shkencore “TG Leonardo”. Aktualisht bashkëpunon me disa media të shkruara dhe elektronike. Ndër botimet e saj më të suksesshme përmendim librat “Le Piere Madame e signorine di Torino” dhe “Le Divine. Manuale per amanti, seduttrici, cortigiane e avventuriere”.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment