LDK kundërshton bashkëpunimin mes MFS dhe MPB

Grupi i ekspertëve për siguri i LDK-së ka kundërshtuar memorandumin për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme duke e konsideruar shqetësuese krijimin e strukturave dhe memorandumeve pa bazë ligjore.

Sipas këtij grupi, tendencat për këtë memorandum implikon tendencë të rrezikshme që mund të shfaqet në shtetet jodemokratike.

Gazmend Muhaxheri, udhëheqës i grupit për siguri të LDK-së tha se ftojnë ministrat Çeku e Rexhepi të rishikojnë përmbajtjen e këtij dokumenti, duke larguar të gjithë fjalorin që rrezikon të ardhmen e FSK-së, që bie ndesh me Kushtetutën, ligjet dhe kompetencat e institucioneve që ata përfaqësojnë.

Muhaxheri ka kundërshtuar edhe krijimin e Agjencisë kundër terrorizmit dhe Agjencinë kundër krimit në kuadër Zyrës së Kryeministrit, për të cilat janë ndarë 300 mijë euro dhe, që sipas tij, nuk kanë mbikëqyrje parlamentare.

“Në formën se si janë themeluar, jo që mund të ofrojnë siguri për qytetarët, por përkundrazi përbëjnë kërcënim direkt të saj, pasi që kanë tendencë të përdoren për qëllime politike dhe individuale”, tha Muhaxhiri. ”Që nga ardhja në pushtet e Hashim Thaçit”, tha Muhaxheri, ”e gjithë struktura komanduese dhe organizative e policisë së Kosovës ka pësuar ndryshime drastike, e në veçanti shtylla kundër krimit”.

Ai tha se qeverisja aktuale nuk ofron siguri, por e përdorë policinë si instrument për ruajtjen e pushtetit, raporton RTK. 

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment