Lala: Të përsëritim rezultatin me Bjellorusinë.

Kur të gjithë flasin për fitore, kapiteni Altin Lala kujton me “forcë” se Bosnja është favorite.
Ndoshtë në këtë mënyrë do t’i kthejë kuqezinjtë me këmbë në tokë, që të kuptojnë se një humbje, që do të ishte krejt normale, na çon në vendin e parafundit.

Pak shanse: Kapiteni është ndoshta i vetmi që e sheh me sy më realist ndeshjen me Bosnjën: “Duke parë tabelën, si janë të renditura skuadrat në klasifikim, do të thosha, me pikët që kemi kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit.

Duke parë dhe rezultatin e Rumanisë, tani të gjitha skuadrat në krye janë ngjeshur, me përjashtim të Francës, që mbetet favorite kryesore e grupit. Lufta tani bëhet për vendin e dytë dhe ne e kemi një shans minimal. Kur them shans minimal, u referohem dhe rezultateve të fundjavës së kaluar. Skuadrat janë të ngjeshura dhe, ajo që gabon, del jashtë gare.”

Në origjinë: “Nëse humbim, historia nis nga e para. Natyrisht që dëshira është e madhe, por duhet të shohim se si shkon loja. Në futboll duhet edhe pak fat. Ne shpresojmë të përsërisim edhe një herë ndeshjen kundër Bjellorusisë, që ishte një ndër lojërat më të bukura të kombëtares. Të gjithë ishim në ditën tonë më të mirë.

Një Bosnjë ndryshe: “Bosnja u prezantua shumë keq në Rumani. Por besoj se në Zenicë nuk do jetë i njëjti ekip. Për ata ndeshja kundër Shqipërisë është shansi i fundit. Ndoshta do të kenë edhe ndonjë ndryshim në formacion. Ata kanë individë shumë të mirë. Por ne shpresojmë të mos pësojmë gol dhe, nëse ndodh kështu, rezultati pozitiv është brenda.”

Veteranët: Ne kemi eksperiencën tonë dhe mundohemi ta përcjellim këtë në kombëtare dhe ta ndihmojmë kombëtaren. Futbolli është i thjeshtë, luhet me 11 veta dhe në atë ndeshje (me Bjellorusinë) të gjithë ishim në formën më të mirë. Ndaj e them se do të ishte e bukur të përsëritnim atë ndeshje. Por gjërat nuk janë dhe aq të lehta.

Të gjithë bazohen te ndeshja me Bjellorusinë, por ajo i takon të kaluarës. Mund edhe të humbasim në Bosnjë, por është shumë e rëndësishme që të luajmë mirë.

Fryma e grupit: “Unë kam vite që luaj me kombëtaren dhe mund të them me plot gojë se, duke parë stërvitjen, ajo është në një nivel shumë më të lartë se më parë. Këtu flas për angazhimin e lojtarëve.

Është një frymë e tillë, ku secili kërkon të kapë vendin në formacionin titullar, secili do të luajë dhe të japë kontributin për kombëtaren. Kjo është shumë e rëndësishme. Do ta vlerësoja maksimalisht grumbullimin për ndeshjen kundër Bjellorusisë dhe këtë ndaj Bosnjës.”

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment