Kuvendi kërkon raport për memorandumin MPB-MFSK.

Komisioni parlamentar për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës është mbledhur të hënën në mbledhje të jashtëzakonshme, i shqetësuar lidhur me informatat e dala në opinion ditëve të fundit lidhur me mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), për angazhimin e FSK-së për menaxhimin e situatave që dalin jashtë kontrollit dhe kontrollimin e turmave në rrugë dhe në tubime.

Pa dashur ta prejudikojë këtë dokument, komisioni ka kërkuar që dy ministrat e resorëve përkatës - Bajram Rexhepi dhe Agim Çeku, të raportojnë të mërkurën në orën 10.00 para komisionit lidhur me këtë, raportoi RTK 21.

Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi nuk ka dashur të komentojë pa e pasur dokumentin në duar.

“Nuk duam të jemi pjesë e spekulimeve, duam ta shohim draftin, i cili është punuar nga dy ministritë dhe pastaj të flasim mbi bazën e atij drafti”, ka thënë ai.

Sipas tij, komisioni ka vendosur që t’i dëgjojë ministrat përkatës dhe të njihet me dokumentin që tashmë ka qarkulluar në opinion, përderisa nuk e ka fshehur shqetësimin lidhur me mundësinë e nënshkrimit të një memorandumi të tillë ndërmjet MPB-së dhe MFSK-së.

Ndryshe, mediat kanë raportuar se ky memorandum i përgatitur nga dy ministritë përgjegjëse të sigurisë në vend, MPB dhe MFSK, synon që të obligojë FSK-në që të ndihmojë Qeverinë, gjegjësisht MPB-në në aktivitetet për realizimin e misionit të saj.

Sipas memorandumit, FSK-ja do të angazhohet edhe në arrestimin e delikuentëve dhe mbajtjen e tyre derisa t’i dorëzohen policisë, por edhe për menaxhimin e situatave që dalin jashtë kontrollit dhe kontrollimin e turmave në rrugë dhe në tubime.

(telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment