Kundër shtrirjes së autoritetit në veri, 17 deputetë

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës të enjten ka prezantuar një fakt interesant. Sipas tij, në seancën e 5 majit 2011, është për tu habitur fakti se 17 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë votuar kundër asaj që Qeveria e Kosovës të shtrijë autoritetin e vet edhe në veri të vendit.


Kështu u tha në prezantimin e raportit mujor nga monitorimi i punës së Kuvendit, për muajin maj. Përfaqësues të KDI-së theksuan se gjatë kësaj periudhe, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur gjithsej gjashtë seanca plenare, prej të cilave pesë të rregullta dhe një të jashtëzakonshme.

Në këto seanca nëse i përjashtohen tri pikat e rregullta (standarde) të rendit të ditës, atëherë konstatohet se janë shqyrtuar dyzetë çështje në rend dite. Kjo dinamikë e punës, sipas KDI, mund të thuhet se është mjaft e lartë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Selmanajt, në seancën e 5 majit 2011, është për tu habitur fakti se 17 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndër ta edhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputetët Ahmet Isufi nga AAK e Agim Kuleta nga Lëvizja Vetëvendosje, votuan kundër propozimit që Qeveria e Kosovës të shtrijë autoritetin e vet edhe në veri të vendit, kjo shihet qartë nga votimi elektronik i Kuvendit i cili e bënë të mundur që të dihet se si kanë votuar deputetët.

“Një veprim i tillë i deputetëve ka ndodhur gjatë votimit të propozim mocionit të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë Interpelancës së kryeministrit lidhur me dialogun Kosovë- Serbi”, ka thënë Selmanaj.

Një element tjetër që përmendet në raport është se debati në Kuvendin e Kosovës me apo pa qëllim është orientuar pikërisht në çështjet ku Kuvendi i Kosovës nuk ka mundësi të reflektojë me ndikimin e tij. Selmanaj ka deklaruar se temat të cilat janë ngritur ad hoc në Kuvend, kanë ndikuar që çështjet me prioritet të mos kenë përkushtimin e mjaftueshëm të Kuvendit.

Po ashtu, sipas tij, procesi i ligjbërjes si një nga funksionet bazë të Kuvendit të Kosovës, është në gjendjen më të keqe të mundshme ku edhe pse ka ngelur vetëm dy muaj deri në përfundim të sesionit pranveror, Kuvendi ka miratuar në të dy leximet, vetëm një Ligj, atë për Buxhetin.

Një fakt tjetër shqetësues për KDI-në është edhe struktura gjinore e Kryesisë së Kuvendit. Kryesia e kësaj legjislature konsiderohet si një klub meshkujsh!. Edhe mosprezenca e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar (në përjashtim të ministrit të Infrastrukturës Fehmi Mujota dhemMinistrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar) gjatë shqyrtimit të Raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010, tregon për injorimin e ekzekutivit karshi institucionit më të lartë përfaqësues në vend - Kuvendit të Kosovës.

Nga ana tjetër, Natyra Kasumaj ka thënë se parregullsitë tjera që po e përshkojnë punën e legjislativit e që vazhdimisht po ngritën nga KDI janë edhe mbyllja e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit, për monitoruesit e organizatave vendore, mos respektimi i Nenit 12 të Rregullores për përfaqësimin gjinor në trupat e Kuvendit, qasja e vështirësuar në dokumentet zyrtare, etj.

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment