Kujdes nga rreziqet e verës në lëkurë!

Lida Sherifi, estetistja e njohur dhe drejtuesja e “Dermo Life Center”, paralajmëron problemet e ndryshme që mund të shkaktojë dielli, rreziqet që i kanosen fytyrës në sezonin e verës, si edhe trajtimet që duhen praktikuar për të përftuar një lëkurë të ushqyer dhe trup të kuruar. Qëkurse femrat shqiptare filluan të ndihen vërtet të tilla, pas “mashkullorëzimit” që u mundua t’i bëjë socializmi, kujdesi ndaj vetes u rrit maksimalisht. Filluan t’i shqetësojnë rrezet e diellit, njollat që u shkaktonte ai në fytyrë… mësuan më mirë edhe për pasojat e rrezeve, që i duam aq shumë kur koha është e shëmtuar. Me këtë rast u shtua puna edhe e estetisteve. Madje tanimë është një industri e tërë që merret me imazhin e femrave. Estetistja e njohur, Lida Sherifi, na jep ca këshilla të vlefshme.

Sezoni i verës tashmë ka trokitur. Cilat janë disa nga këshillat estetike që mund të na thoni?
Të mbrojmë lëkurën nga dielli dhe ta hidratojmë atë. Jo vetëm lëkurën e fytyrës, por të gjithë trupin, pasi stina e verës është e vetmja stinë ku pjesa më e madhe e lëkurës është e ekspozuar ndaj diellit dhe kushteve atmosferike.
Cilat janë rreziqet serioze që i kanosen lëkurës gjatë stinës së verës?
Rreziku më i madh është dielli. Nëse nuk e mbrojmë lëkurën tonë nga dielli, në fund të stinës së verës do të kemi një lëkurë më të dehidratuar, më të plakur dhe me njolla të diellit në pjesë të ndryshme të trupit, siç është balli, mollëzat, duart, shpatullat dhe dekolteja. Do të ishte e këshillueshme që secili prej nesh që në pranverë të merrte një krem mbrojtës me SPF sipas tipit të lëkurës. Sa më të kujdesshëm të jemi në përdorimin e kremrave me SPF dhe kremrave hidratantë, aq më e bukur estetikisht, e shëndetshme dhe e re do të jetë lëkura jonë.
Tek cilët tipa lëkure është më e mundshme të krijohen probleme nga rrezet e diellit?
Efektet anësore më të shfaqura janë aknet që shfaqen në fytyrë dhe në dekolte, më rrallë edhe në pjesën e shpinës si pasojë e ujërave të ndotur, në pishina ose dete. Një fenomen tjetër që po shfaqet gjithmonë e më shumë janë njollat e diellit (ose makiet e pleqërisë) që shfaqen mbi grup moshat 25 vjeç, edhe pse kanë përdorur një krem me SPF të lartë, kjo tregon që lëkura e tyre ka qenë lodhur e pahidratuar (këtu futen shumë faktorë, si gjenetika, mënyra e jetesës, pirja e cigares, alkooli, mos- konsumimi i ujit në sasi të mëdha, ushqyerja me ushqime të thata dhe jo të shëndetshme).
Përpos kremit me efekt mbrojtës kundër diellit, çfarë lloje të tjera kremrash duhet të përdoren gjatë sezonit të verës?
Sipas tipit të lëkurës dhe grupmoshave këshillohet domosdoshmërisht hidratimi i lëkurës me kremin përkatës, me kremin e syve dhe me kremin e trupit. Mbas të dyzetave është e këshillueshme të shtohet përdorimi i serumit, edhe ky sipas tipit të lëkurës. Serumi bën një hidratim më të thellë të lëkurës, mbron qelizat e reja dhe ndihmon në maturimin e tyre. Aplikimi i serumit në verë sugjerohet të bëhet jo vetëm në pjesën e fytyrës, por edhe në qafë dhe në dekolte. Dekolteja në verë plaket dy herë më shumë nëse nuk mbrohet nga rrezet e diellit dhe nga uji i kripur i detit. Këshillohet që aplikimi i kremrave të bëhe tt sistematikisht, çdo mëngjes dhe çdo darkë.
Nuk është vetëm lëkura e shëndetshme një domosdoshmëri, nevojë për t’u mbrojtur kanë edhe flokët. Si duhet t’i trajtojmë ato gjatë verës?
Edhe flokët bien pre e rrezeve të diellit, të ujit të detit dhe pishinave, prandaj shpesh në fund të sezonit të plazhit dhe në fillim të vjeshtës njerëzit ankohen për flokë të thatë dhe shtim të rënies së flokëve. Kryesisht flokët e thatë kanë nevojë për kujdes më të madh, me maska ushqyese, me serum mbrojtës, i cili aplikohet edhe para se të dalim në plazhe. Maska hidratuese në verë këshillohen të përdoren dy herë në javë sipas tipit të flokut.
Gjatë performancës në plazh, një nga armët e forta është pa diskutim trupi dhe pamja e jashtme. Trajtimet anti-celulit dhe një trup i formuar si mund të arrihen këtë verë?
Fjala celulit është armiku i cilësdo femër. Megjithëse jemi kujdesur në dimër me një dietë ushqimore të ekuilibruar dhe me palestër, kur vjen vera dhe shihemi përpara pasqyrës, secila nga ne ka një pikë të vetën që celuliti e shqetëson. Ka disa metoda për ta luftuar celulitin. Trajtimi me alga të Detit të Vdekur të shoqëruar me masazh, me vajra esencialë me serum dhe krem anti-celulit. “Infraross”, terapia ku pjesa e trupit që duam të trajtojmë lyhet me alga të Detit të Vdekur, i nënshtrohet efektit ngrohës me temperaturë të lartë të dritave llambave infra të kuqe. Një metodë e fundit shumë e efektshme që po përdoret gjithmonë e më shumë në perëndim është dhe injektimi i një substance që bën shkrirjen e dhjamit dhe eliminimin e celulitit pikërisht në zonën e aplikuar. 15 ditë mbas injektimit të substancës (Fosfadicolina) rezultati është mrekullisht i dukshëm, lëkura është e bukur, e hidratuar, e shtrirë si pamja e lëkurës së portokallit. Në të gjitha terapitë që përdoren sot në botë për të luftuar celulitin, si një emërues i përbashkët është respektimi i disa rregullave si pirja e dy litrave ujë në ditë, të lëvizurit e të ecurit në këmbë, një dietë ushqimore e ekuilibruar dhe e orientuar drejt perimeve e supës së peshkut etj.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment