Kufij të rinj në Evropë? - Ende tendenca për shtete të reja

Ka mbaruar epoka e ndryshimit të kufijve në Ballkan apo do të ketë sërish lëvizje? Disa pohime kanë ndezur debat në opinion. Por a prek kjo çështje vetëm ish-territorin jugosllav, apo edhe hapësira të tjera?

Ballkanizimi - në përdorimin e zakonshëm është një nocion politik për fenomenin e shpërbërjes nga shtete të mëdha në shtete më të vogla kombëtare, shpesh armiqësore ndaj njëra-tjetrës. Pas Luftës së Dytë Botërore për disa dhjetëvjeçarë nuk pati probleme kufitare në Jugosllavi. Vetëm pas shpërbëjes së Jugosllavisë në vitet e luftës 1991-1995, nisën të krijoheshin nga republikat e dikurshme shtete të reja, duke krijuar kështu kufijtë e rinj.

Pikërisht këta kufij të rinj janë krijuar mbi bazën e dy normave të së drejtës ndërkombëtare që kundërshtojnë njëra-tjetrën, mendon Solveig Richter nga fondacioni berlinez për Shkencën dhe Politikën. "Njëra është integriteti territorial dhe tjetra e drejta e vetëvendosjes së popujve. Pikërisht në Evropën Juglindore kemi një dendësi të madhe të popujve dhe etnive, të cilët pretendojnë shtete të mëvetësishme mbi bazën e të drejtës së vetëvendosjes."

Jo vetëm në Ballkan, edhe në Kaukaz ka përpjekje për shkëputje

Ky proces ende nuk ka përfunduar. Vetëm para tre vjetësh Kosova shpalli pavarësinë, në Maqedoni ekzistojnë si edhe më parë tendencat separatiste tek komuniteti shqiptar, por edhe në Bosnje-Hercegovinë ka herë pas here përpjekje për t'i trajtuar kufijtë administrativë si kufij shtetërorë.

Por jo vetëm në Evropën Juglindore, edhe në hapësirën postsovjetike ekzistojnë tendencat për autonomi dhe krijim të shteteve homogjene nga ana etnike. Veçanërisht në Kaukaz ato kthehen në fitilë konfliktesh të reja: Enklava Nagorno Karabah, Abkazia apo Osetia jugore janë vetëm disa shembuj.

Megjithatë frika e shprehur se pavarësia e Kosovës do të përbënte një rast precedent për shtete të tjera, nuk është bërë realitet, mendon Solveig Richter: "Në zhvillimet në Kaukazin jugor luajnë një rol më të madh zhvillimet lokale dhe ato gjeostrategjike e gjeopolitike, dhe jo aq Kosova."

Kjo mund të ndryshojë po qe se bëhet ndarja e Kosovës: "Atëherë mund të krijohet një dinamikë e re etnonacionale, mund të rilindin konflikte të reja lokale e të dhunshme, gjë që mund të sjellë një valë të tillë dhune, që mund të jetë e pakontrolluar dhe e pakalkulueshme."

Politika serbe për ndarjen e Kosovës

Por pikërisht në drejtim të ndarjes së Kosovës, po e orienton strategjinë e tij politike, presidenti serb, Boris Tadiç. Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e njëanshme të Kosovës, me rreth 90% të popullsisë shqiptare, dhe një pakicë të madhe serbe që jeton kryesisht në veri të vendit. Në një intervistë me gazetën gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" (03.06) ai shprehet se si të bëhet "një marrëveshje, në të cilën të gjitha palët të marrin diçka, dhe të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme që sjell paqe dhe stabilitet." Në këtë kontekst ai flet për Shqipërinë e Madhe dhe Serbinë e Madhe.

Në qarqet diplomatike serbe flitet se prej kohësh po punohet për ndarjen e Kosovës. Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto i refuzon kategorikisht këto synime. "Asnjë shtet, asnjë vend, përfshi edhe shtetin e ri të Kosovës nuk mund të trajtohet si një plaçkë që mund të ndahet, pavarësisht se dëshirat e kujt plotësohen."

Perspektiva e anëtarësimit duhet të shfuqizojë kufijtë

Politika evropiane në çështjen e Kosovës është e përçarë. Pesë anëtarë të BE-së nuk e kanjë njohur Kosovën, gjë që sjell me vete pasoja negative si për BE-në, për Serbinë edhe për Kosovën, thotë Solveig Richter: "Kjo do të thotë që edhe vendet e BE-së nuk janë të një mendimi nëse do t'u ofrojnë shteteve të Ballkanit, vërtet në një të ardhme të afërt një perspektivë anëtarësimi.

Por pikërisht një politikë e njësuar dhe e qartë e BE-së është e rëndësishme mendon eksperti Franz-Lothar Altmann nga Shoqata e Evropës Juglindore në Mynih. "Po të shohësh se si është zhvilluar Bashkimi Evropian, se si kufijtë në jetën e përditshme e kanë humbur kuptimin, - kjo është perspektiva që duhet të çojë deri në atë pikë sa të thuhet: "Le të shohim se çfarë mundësish kemi, po qe se e heqim mënjanë këtë mentalitet nacionalist që ka sjellë katastrofa, dhe të kthejmë sytë tek perspektivat që hapen."
(peshkupauje.com)

No comments:

Post a Comment