Kthimi përfundimtar i pronave, 14 masat e reja

Qeveria ka gati një strategji për kthimin e pronave që zgjat deri më 2018. Skema e re do të nisë nga funksionimi në janar të 2013. Ja të gjitha masat e reja të kompensimit financiar dhe fizik.
Qeveria është në përgatitje të një skeme të re ligjore për kompensimin e ish-pronarëve, që do të fillojë të operojë në janar të vitit 2013. Në themel të saj janë 14 masa të reja, që do të realizojnë definitivisht kompensimin financiar dhe fizik të pronave. 

Deri në këtë moment besohet se, shteti shqiptar do të ketë informacion për numrin e subjekteve që kërkojnë kompensim dhe një faturë totale financiare për këtë proces. Më tej, sipas planit të qeverisë, kjo skemë do të operojë bazuar në një bazë të dhënash të dixhitalizuar, sipas të cilave, AKKP-ja në kohë reale është në gjendje të kontrollojë situatën hartografike dhe juridike të dosjes, mbi bazën e së cilës janë dhënë vendimet e kompensimit. Mbivendosjet e mundshme hartografike të vendimeve për kompensim do të dalin të qarta nga baza e të dhënave. Ndërtimi i kësaj baze të dhënash, parashikohet të jetë në shumën 900 000 euro. Burimi i fondeve pritet të përcaktohet së shpejti. 

Nga ana e saj, baza e dixhitalizuar e të dhënave e AKKP-së, në aspekt hartografik, do të ndërtohet (programohet) mbi hartat e standardizuara të prodhuara nga Agjencia Kombëtare për Prodhimin e Hartave të Standardizuara. Duke qenë se të gjitha institucionet do të punojnë me të njëjtin model të standardizuar harte, informacioni hartografik dhe ligjor që ato prodhojnë do të jetë plotësisht i shkëmbyeshëm mes tyre. Subjektet e shpronësuara që disponojnë vendime kompensimi përfundimtare dhe të ekzekutueshme, brenda një afati prekluziv që do të përcaktohet me ligj, do të shprehin vullnetin e tyre (nëpërmjet një formulari tip të miratuar nga Ministri i Drejtësisë dhe që do të depozitohet në AKKP), për të përfituar kompensim financiar sipas skemës së re. Në funksion të një koordinimi dhe ecurie më të mirë të problematikës së pronave në Shqipëri, do të ngrihet një strukturë pranë Ministrisë së Drejtësisë. 

Kjo strukturë përgatit, ndjek dhe realizon politikat dhe veprimtaritë, që lidhen me hartimin e studimeve në fushën e legjislacionit për të drejtat e pronësisë, kryen dhe përfundon analizat tekniko-ligjore të vlerësimit, të efektivitetit të legjislacionit, harmonizimin tekniko-ligjor të brendshëm të legjislacionit për të drejtat e pronësisë. Për kryerjen e kësaj përgjegjësie, ajo bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë me Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit. Kjo strukturë, gjithashtu, do të koordinojë institucionet, si: AKKP, ZRPP, ALUIZNI, DASHPP, KQT, Avokatura e Shtetit dhe do të mbikëqyrë e monitorojë procesin e kompensimit të pronave dhe implementimin e masave strategjike, të propozuara në planveprimin për çështjet e pronave. Kompetencat dhe detyrat konkrete të kësaj strukture do të dihen në momentin kur të krijohet me ligji, i cili pritet të miratohet në fund të nëntorit të këtij viti. Kjo strukturë mendohet të përbëhet nga një staf prej 10 vetash.

Sipas planit të qeverisë, kjo skemë do të operojë, bazuar në një bazë të dhënash të dixhitalizuar, sipas të cilave AKKP-ja në kohë reale është në gjendje të kontrollojë situatën hartografike dhe juridike të dosjes, mbi bazën e së cilës janë dhënë vendimet e kompensimit.

Skema e re e kompensimit financiar

1. Nga skema do të përfitojnë ish-pronarët që disponojnë vendime për kompensim që janë

përfundimtare dhe të ekzekutueshme.

2. Masa e kompensimit do të jetë 100% dhe do të shpërndahet me këste të barabarta. Pagesa e kompensimit do të jetë me këste, derisa të arrihet kompensimi 100% për çdo pronar.

3. Parashikohet që subjektet që kanë vendime për kompensim përfundimtar dhe të ekzekutueshme duhet të paraqesin një kërkesë sipas një formulari tip që gjendet tek AKKP-ja apo mund të shkarkohet nga interneti.

4. Kërkesat e depozituara që pranohen si të plota do të regjistrohen në një bazë elektronike të dhënash në rend kronologjik, duke marrë parasysh jo datën e kërkesës, por datën e vendimit më të hershëm për kompensim për një pronë të caktuar.

5. Në përfundim të periudhës 6-mujore të shprehjes së vullnetit, AKKP-ja kryen procedurat e brendshme për të filluar shpërndarjen efektive të fondit të kompensimit.

6. Shteti mendohet të ketë diskrecion me ligj, që të përcaktojë llojin e kompensimit që do të përfitojë subjekti për çdo këst kompensimi, në varësi të fondit fizik apo financiar që ka në dispozicion, në momentin kur trajton një subjekt të caktuar.

7. Kompensimi do të kryhet automatikisht nga vetë shteti (mbështetur në bazën elektronike të të dhënave), i cili ka si detyrim të vetekzekutojë me iniciativën e tij vendimet e ashtuquajtura gjyqësore (në referim të vendimeve të GJEDNJ-së në çështjet “Beshiri kundër Shqipërisë”, “Bushati 2700 kundër Shqipërisë”.

8. Me t’u përcaktuar fatura financiare do të parashikohet dhe një afat konkret se kur mund të përfundojë ky proces.

9. Dhënia e kompensimit në natyrë do të ketë përparësi në raport me dhënien e kompensimit financiar, në mënyrë që të ulet fatura financiare për shtetin.

10. Kompensimi në çdo formë do të jepet për subjektet duke marrë parasysh kriterin kronologjik dhe sipas zonave kadastrale, në të cilat fondi fizik i kompensimit është në dispozicion. Nëse ka fond fizik brenda qarkut ku ndodhet prona e kompensuar, kompensimi fizik do të jepet në këtë qark. Në të kundërt jashtë qarkut, por gjithsesi sa më afër qarkut ku ndodhet prona e kompensuar.

11. Në rast kur ka përplasje mes subjektesh për kompensim mbi të njëjtën pasuri, ata duhet t’i drejtohen gjykatës për zgjidhjen e konfliktit se kujt i takon e drejta e kompensimit. Gjatë kohës së zgjidhjes gjyqësisht të çështjes ushtrimi i së drejtës për

kompensim pezullohet. Me zgjidhjen përfundimtare të çështjes, subjekti gjyqëfitues përfiton kompensimin sipas kritereve të këtij ligji në radhën e ardhshme të kompensimit, kurse çdo subjekt tjetër pjesëmarrës në atë gjykim humb të drejtën për kompensim për atë pasuri.

12. Logjika e pikës 11 do të ndiqet edhe për kompensimin me pjesëmarrje në privatizimin e aksioneve të shoqërive shtetërore.

13. Përcaktimi i fondit për kompensim fizik sistematik do të përfundojë brenda fundit të vitit 2018. Ndërkohë, deri në bërjen efektive të fondit për kompensim fizik sistematik, do të shpërndahet fondi fizik që kohë pas kohe do të jetë gjendje.

14. Skema definitive do të marrë në konsideratë dhe problemet praktike që u trajtuan në kuadër të skemës kalimtare të vitit 2011. Skema e mësipërme do të jetë pjesë e ndryshimeve që parashikohen të bëhen në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës deri në fund të nëntorit 2011. Kjo skemë parashikohet të diskutohet gjatë muajve qershor-korrik të këtij viti me ish-pronarët dhe grupet e tjera interesi të interesuara.

(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment