Kryeministri Berisha merr pjese ne ceremoninë e dhurimit të “Gurit të Paqes” nga Hiroshima

 
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë e dhurimit të “Gurit të Paqes”, nga Hiroshima, në Muzeun Historik Kombëtar, sjellë në Shqipëri nga Fondacioni “Guri i Paqes”. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri i Hungarisë zoti Viktor Orban, ambasadorët e Japonisë e të Hungarisë të akredituar në Tiranë, drejtues të Fondacionit “Guri i Paqes” së Hiroshimës, etj.

Fillimisht, Kryeministri falënderoi Kryeministrin e Hungarisë zotin Orban për pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni dhe vlerësoi lart këtë dhuratë simbolike shumë të çmuar që i bëhet Shqipërisë, si Guri simbol i paqes në mbarë botën.

“Dua në këtë ngjarje të veçantë t’ju shpreh një mirënjohje të thellë ju, përfaqësuesve të këtij Fondacioni, qeverisë dhe kombit tuaj, për këtë dhuratë simbolike shumë të çmuar që ju i bëni Shqipërisë. Hiroshima sot është një simbol i madh paqeje në mbarë botën. Vërtet ishte qyteti i parë në të cilin u hodh bomba atomike për të dominuar një ideologji shkatërrimtare, një ideologji të udhëhequr nga racizmat dhe urrejtjet njerëzore. Por mesazhi i 100 mijë viktimave të Hiroshimës u shndërrua në filozofinë e re të Japonisë, mrekullisë më të madhe të njerëzimit, pas Luftës së Dytë Botërore, vendit që u ngrit nga shkrumbi në zenitin e zhvillimit. Bazuar në paqen dhe filozofinë e saj, Japonia u shndërrua në një faktor kryesor botëror të zhvillimit të gjithanshëm të njerëzimit, Japonia u shndërrua në fuqinë e dytë botërore ekonomike”, u shpreh Kryeministri.

Duke iu referuar fatkeqësisë natyrore të disa muajve më parë në Japoni, Kryeministri vlerësoi forcën e madhe dhe dinjitetin me të cilin kombi japonez, autoritet atje, përballuan këtë tragjedi apokaliptike.

“Pak muaj më parë, ky vend pati njërën nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha të përmasave apokaliptike. Por kombi japonez, autoritetet japoneze dhe qeveria juaj e përballoi atë me një dinjitet frymëzues për mbarë botën. Asnjë vend, asnjë komb nuk do të mund të kishte bërë atë që bëtë ju, në një kohë aq të shkurtër dhe në një mënyrë aq të fuqishme në përballimin e asaj fatkeqësie komplekse natyrore. Kjo ishte Japonia e paqes, më e fortë se Japonia e të gjitha kohërave”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri u ndal edhe në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen e madhe të Japonisë përgjatë përpjekjeve të Shqipërisë për ndërtimin e demokracisë dhe integrimin e vendit. “Unë e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen më të thellë, Perandorit tuaj, qeverisë suaj, kombit tuaj, për mbështetjen e ngrohtë dhe miqësore që gjatë gjithë këtyre viteve të përpjekjes sonë për ndërtimin e demokracisë dhe tregut në Shqipëri, i kanë dhënë dhe i japin kombit shqiptar. Ne kemi mirënjohjen me të thellë ndaj vendit tuaj”, nënvizoi Kryeministri.

Në mbyllje të fjalës së tij, kryeministri Berisha edhe njëherë falënderoi Fondacionin “Guri i Paqes” që solli në Shqipëri këtë gur të rrugëve të qytetit të Hiroshimës që flet për paqen më shumë se çdo monument tjetër.

Fondacioni “Guri për Paqe” u krijua në 1991, me synim ndërgjegjësimin e njerëzve në mbarë botën për t’i kushtuar më shumë vëmendjen paqes dhe jetesës në paqe, duke shkëmbyer “ Gurin për Paqe’’. Gurët ishin gurë të shtruar neper rrugët e makinave ne Hiroshima kur bomba atomike u hodh mbi Hiroshima në gusht 1945. Guri i parë për Paqe iu dhuruar po atë vit ish Presidentit Alberto Fujimori të Perusë dhe që nga ai vit, numri i vendeve që kanë pranuar Gurin ka kaluar mbi 100. Ky aktivitet do të vazhdojë të dërgojë jashtë zërin e Hiroshimës, duke bërë thirrje për paqe në botë.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment