Kriza shqiptare ne Bruksel

Europarlamentarët, e madje dhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, kishin rënë dakort të mos jepnin deklarata publike. Por, kabineti i Stefan Fule shpërndau për mediat mesazhin e Komisionerit ndaj klasës politike shqiptare, menjëherë më pas.


"Përgatitja e zgjedhjeve lokale dhe votimi më 8 Maj ishin në përgjithësi pa trazira e të qeta dhe pavarësisht disa parregullesive procesi u vlerësua nga të gjithë vëzhguesit si pozitiv në përgjithësi. Numërimi, megjithëse i vonuar e i ndërprerë në disa raste, u konsiderua gjithashtu se funksionoi mirë dhe ishte transparent. Për fat të keq, një situatë shumë e vështirë erdhi si pasojë e problemeve në tabulatin për rezultatet e Tiranës", thuhet në deklaratën e Fules.

"Ekzistojnë në të vërtetë interpretime të ndryshme mbi të ashtuquajturat ‘vota të gabuara’. OSBE-ODIHR në raportin e 20 Majit thotë: Kodi Elektoral nuk rregullon drejtpërdrejt vlefshmërinë e votave të gjetura në kuti të ndryshme nga ajo korresponduese për tipin e zgjedhjes së asaj vote. Dhe as nuk parashikon një procedurë për të rakorduar fletët e votimit në kutitë e tjera", vijohet në deklaratë.

Pasi mbështeti qendrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Komisioneri Fule theksoi se retorikat konfrontuese vetëm sa do të rrisnin tensionet në vend. Procesi elektoral, sipas tij, duhet finalizuar në qetësi, me konstruktivitet, e me fokus në të ardhmen.

"Eshte e dukshme se një reformë gjithëpërfshirëse e Kodit Zgjedhor është e nevojshme dhe duhet kryer nga shumica qeverisëse së bashku me opozitën dhe shoqërinë civile. Kjo mund të arrihet vetëm nëse partitë politike, dhe ju, politikanët që përfaqësoni popullin e Shqipërisë, gjeni menyrën për të biseduar së bashku dhe të merrni vendimet e domosdoshme në interes të vendit e të shtetasve të tij", thotë Fule.


Në mënyrë të përmbledhur, Komisioneri ka përmendur progresin pozitiv e vullnetin e treguar nga klasa politike për liberalizimin e vizave dhe zbatimin pa pengesa, në përgjithësi të MSA-së. Ky vullnet, sipas tij, duhet përdorur edhe për 12 prioritetet kyce në mënyrë që vendi të avancojë drejt procesit të anëtarësimit.

Vetëm një ditë më parë, Komisioni Europian ka marrë në dorëzim planin e rishikuar të veprimit mbi zbatimin e këtyre prioriteteve nga qeveria shqiptare, ndërkohë që ngërci politik dhe vendimmarrja me shumicë të cilësuar në parlament bllokojnë ende emërimet e rëndësishme në sistemin gjyqësor. Për këtë arsye Komisioneri ftoi opozitën të marrë pjesë plotësisht në punimet e kuvendit, dhe që të përdorë forumet institucionale e të arrijë objektivat e saj politik.

Rezultatet dhe parregullësitë do të reflektohen sic duhet në raportin e progresit në mes të tetorit të këtij viti, kujtoi Fule, duke numëruar disa prej tyre: zbatimi i ligjit mbetet sfidë për Shqipërinë, cështja e pronave mbetet e pazgjidhur, do të dëshiroja të theksoja fushën e lirisë dhe pavarësisë së medias, që përbën një nga blloqet themelore të ndërtimit të demokracive të pjekura. Inkurajoj një promovim aktiv të pluralizmit të ideve dhe liri të plotë të medias për të larguar cdo perceptim të mundshëm të standarteve të dyfishta në marrëdhëniet me median. Rregullat që rregullojnë sektorin e medias duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë ndaj të gjithëvë.

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni kërkon zbatimin në terren të legjislacionit, e po kështu për ligjin anti-mafia. Situata ekonomike vlerësohet e mirë në përgjithësi, por turizmi dhe investimet e huaja varen nga reformat strukturore e paqendrueshmëria politike.
Punimet e takimit ndërparlamentar vijojnë të mërkurën paradite me dyer të mbyllura.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment