Krerët e partive të pasuksesshme në Maqedoni japin dorëheqjen

Tri ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni në Komisionin Shtetëror Zgjedhor janë parashtruar vetëm 11 ankesa për parregullsi në zgjedhjet e 5 qershorit.

Anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor kanë pranuar ankesën e partisë "Të bashkuar për Maqedoninë", e cila kishte të bëjë me numërimin e 18 votave, por të cilat nuk ndikonin në rezultatin zgjedhor dhe në mandatet për deputetë.

KSHZ ka hedhur poshtë ankesën e "Demokracisë së Re"

Kjo parti është ankuar për dhunimin e procesit zgjedhor në njësinë zgjedhore numër dy. "Vërejtjet e kësaj partie janë serioze, por nuk ka asnjë dëshmi për t'u shprehur pozitivisht për këtë ankesë, sepse përfaqësuesit e Demokracisë se Re, në komisionet komunale zgjedhore nuk kanë respektuar afatet kohore për reagim", është shprehur Tanja Alltanxhieva, anëtare e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

LSDM konteston në Gjykaten Kushtetuese tre deputetë të zgjedhur në diasporë

Partia maqedonase në opozitë Lidhja Socialdemokrate do të kontestojë tre deputetët e zgjedhur në diasporë në Gjykatën Kushtetuese ka thënë sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Andrej Petrov. Sipas tij është e papranueshme që deputetët në Maqedoni të zgjidhen me nga 10 mijë vota, ndërsa ata të diasporës vetëm me 400 vota. Gjithnjë sipas Petrov në këtë rast është thyer e drejta kushtetuese që të gjithë kandidatët për deputet të jenë të barabartë.

Rezultatet e zgjedhjeve të 5 qershorit kanë shkaktuar një varg dorëheqjesh të liderëve të partive opozitare, të cilët nuk arritën të sigurojnë asnjë mandat të deputetit në përberjen e re parlamentare. Kryetari i "Demokracisë së Re", Imer Selmani, si akt moral ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit: "Përgjegjësia më e madhe politike bie mbi mua. Nga ky moment si akt moral të përgjegjësisë time politike unë para organeve të partisë deponoj dorëheqjen time", ka deklaruar Imer Selmani.

Edhe Partia për Prosperitet Demokratik ka mbetur pa lider

Sefedin Haruni në komunikatën për opinion ka dhënë arsyet e dorëheqjes së tij. PPD në këto zgjedhje pati rezultate shumë të dobëta, nuk arriti të sigurojë asnjë vend të deputetit në parlament, andaj jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të PPD-së, ka shkruar mes tjerash në komunikatë Sefedin Haruni.

Tronditjet nga rezultatet e dobëta të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kanë prekur edhe bllokun politik maqedonas: "Në këto zgjedhje Partia Liberal Demokrate e Maqedonsë arriti rezultat të keq, përgjegjësinë për këtë rezultat e mbaj personalisht unë, andaj dhe jap dorëheqje nga të gjitha postet drejtuese të partise", ka deklaruar Jovan Manasievski, kryetar i PLD-së.

Analistët politikë në Maqedoni parashohin që deri në fundjavë të ketë edhe disa dorëheqje të liderëve të partive opozitare maqedonase dhe shqiptare, si rezultat i debaklit të tyre zgjedhor.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment