Krasniqi s’ka informacione për bisedimet me Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga qeveria dhe koordinatorja e palës kosovare në bisedimet me Serbinë, që të tregohen më transparent në raport me dialogun që po zhvillohet.

Krasniqi tha se ai si kryetar i Kuvendit nuk e ka marrë platformën e këtyre bisedimeve, pavarësisht që një ditë më herët, zv/kryeministrja Edita Tahiri, kishte deklaruar se ua kishte dorëzuar platformën institucioneve më të larta dhe autoriteteve përgjegjëse.

“Është një e vërtetë e madhe se ne kemi vërejtje në lidhje me zhvillimin e këtyre bisedimeve për mungesën e informacioneve. Dhe, ne nuk mund të ndërtojmë qëndrim pa pasur informacione. Sapo t’i kemi informacionet, do ta kemi qëndrimin tonë”, është shprehur Krasniqi, pas takimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, koordinatorja Tahiri ka paralajmëruar nënshkrimin e një pako marrëveshjesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë raundi të ri të bisedimeve që pritet të zhvillohen nga mesi i qershorit në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment