KQZ miraton aktin e kutive

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar në parim projek-aktin për hapjen e kutive me votat e kontestuara dhe të hedhura në kutitë e gabuara.

Kreu i KQZ-së Arben Ristani vuri në dukje se për çdo kuti, në të cilën do të numërohen materialet zgjedhore, do të ketë vëzhgues partiakë.

Sipas Ristanit janë rreth 1800 kuti që do hapen, numërimi i të cilave nuk mund të bëhen vetëm nga 7 anëtarët prandaj është parashikuar ngritja e 8 grupeve të numërimit.

Nënkryetarja e KQZ-së kundërshtoi ngritjen e grupeve të numërimit. Sipas saj hapja e kutive duhet të bëhet në sy të anëtarëve të KQZ.

10:50 - Nis me debate mbledhja e KQZ-së

Ka nisur me debate mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e projekt- aktit për zbatimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor për hapjen e të gjitha kutive dhe numërimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar.

Njazi Kosovrasti, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ ka vlerësuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor në vijim të punës së mirë që ka bërë KQZ-ja.

“Unë dhe PD kemi qenë dakord gjatë gjithë kohës në mënyrë që kërkimi dhe transparenca, vota e çdo qytetari dhënë për kryetarin ose këshillat të vlerësohen dhe të numërohen”- tha ai.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjoncaj ka kritikuar mënyrën e hartimit të këtij projekt akti, që sipas tij nuk është i njejtë me eksperiencën e përdorur për hapjen e 117 kutive.

“Përmbajtja e këtij projekt akti nuk i afrohet asaj të 117 kutive. Në projekt akt vlerësimi i votës do bëhet nga grupi i numërimit, por në asnjë pikë të kodit nuk përcaktohet që grupi i numërimit të bëjë vlerësimin dhe tabulimin e votave. Mendoj që në këtë pikë duhet pasur kujdes pasi është vetë Kolegji Zgjedhor, që sqaron se do të jetë KQZ ai që do të bëjë vlerësimin e votës, pra ai dhe jo inspektorët e KQZ”- tha Gjoncaj.

10:20 - Rreth orës 10:15 minuta Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur të shtunën mbledhjen për rinumërimin e fletëve te hedhura në kutitë e gabuara për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Numërimi i fletëve të kontestuara do të nisë vetëm pasi anëtarët e KQZ të kenë miratuar projekt- aktin për mënyrën sesi do të numërohen fletët e votimit. 

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment