Kosova bllokon importin e barnave nga Shqipëria.

Konflikti mes Shqipërisë dhe Kosovës është zhvendosur te barnat \”Made in Albania\”.
Pavarësisht se qeveritë e dy shteteve i konsiderojnë raportet ekonomike pozitive dhe pa pengesa reciproke për tregti të lirë, në realitet ndodh e kundërta, shkruan gazeta \”Shqip\”, duke konstatuar se në nivelin administrativ, të dyja vendet po hasin probleme. Dikur ishin bizneset e Kosovës që ankoheshin (dhe vijon ende) për taksat që dogana e Shqipërisë aplikon për mallrat e tyre. Kryefjalë e kësaj beteje ishte patatja, me të cilën Kosova kishte kryer tregti pa pengesa, derisa pala shqiptare vendosi taksa dhe referenca doganore për të mbrojtur produktin vendas. Kjo ndodhi edhe për lëndët e tjera. Po sot, janë bizneset shqiptare që ankohen, duke dhënë të njëjtat argumente, si kosovarët me pataten, ndoshta me më tepër motive. Të dyja qeveritë kanë lidhur marrëveshje të ndryshme tregtie, sa u takon tarifave doganore preferenciale. Në rastin e produkteve farmaceutike, prodhimet e Kosovës (pavarësisht se nuk eksporton ende në Shqipëri) trajtohen me taksë doganore 0, gjë e cila nuk ndodh me produktet shqiptare në Kosovë. Në të dyja vendet nuk ekzistojnë praktika të njehsuara në fushën e licencimit dhe shitjes së barnave, shqetësim i ngritur pak kohë më parë nga vetë ish presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli. Kjo ndodh për faktin se Kosova nuk e \”njeh\” Shqipërinë si vend i Ballkanit, apo i BE së, por si vend i Botës së Tretë, ku futen India apo Bangladeshi. Duke qenë në këtë listë vendesh, autoritetet kosovare ofrojnë procedura tepër burokratike, deri në 6 muaj, për licencimin e një barne të vetme, importuar nga Shqipëria. Ndryshe ndodh me produktet kosovare, të cilat mund të futen në tregun shqiptar pa qenë nevoja të trajtohen si vende indiane. Në këto kushte, të dyja vendet po vuajnë nga kostot e larta të produkteve që blejnë në vendet e tjera të BE së, duke injoruar bashkëpunimin, me efekte negative në buxhetet respektive të barnave, sa i takon rimbursimit. Problemi pranohet nga vetë Ministria jonë e Ekonomisë, e cila mbulon sektorin e tregtisë së lirë dhe politikën e tarifave doganore. Nga ana tjetër, pala shqiptare nuk jep sqarime pse barnat shqiptare paguajnë taksa kur futen në Kosovë dhe anasjelltas ndodh ndryshe, sikurse është e pakuptimtë trajtimi si vende të Botës së Tretë.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment