Konkursi “Kolor” shpall fituesit në “Eduart Lear”

Është çelur në Galerinë e Arteve “Eduart Lear”, edicioni i 10-të i konkursit të pikturës “KOLOR”, kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme kulturore në qytetin e Beratit. Ndryshe nga vitet e tjera, në këtë edicion ka pasur fëmijë të ardhur edhe nga Kosova, Maqedonia, Prishtina, Ulqini etj. Drejtori i Galerisë së Arteve “Eduard Lir”, Agron Polovina, në një prononcim për gazetën ka thënë se në këtë ekspozitë kanë shpalosur krijimet e tyre 176 fëmijë të talentuar, të moshave nga 6-14 vjeç.
“Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit kanë marrë pjesë në ekspozitën konkurs “KOLOR” edhe 38 fëmijë nga Maqedonia, Prishtina, Ulqini e Kosova” është shprehur Polovina. Juria ka qenë e përbërë nga piktorë beratas e maqedonas. “Kolor” ka ekspozuar në Galerinë e Arteve 350 vizatime e piktura me tematika nga më të larmishmet. Juria e këtij evenimenti ka dhënë 24 çmime e certifikata sipas grupmoshave dhe 6 çmime speciale për “cilësi të veçanta në pikturë” për fëmijët më të talentuar, ndërkohë që për të gjithë fëmijët pjesëmarrës janë dhënë dhurata me materiale profesionale për të vizatuar e pikturuar. Me çmime të veçanta janë vlerësuar: Rioni, 6-vjeçari nga Kosova, Erisa Kajo e kopshtit “10 Korriku” nga qyteti i Beratit, 8-vjeçari Genti Lula nga Ulqini dhe 14-vjeçarja beratase, Megi Mahmutaj. Anëtarja e jurisë së këtij konkursi, piktorja nga Maqedonia, Renata Rihaves, është shprehur se kjo ekspozitë ka qenë shumë profesionale dhe talenti i fëmijëve që kanë ekspozuar ka qenë për t’u admiruar, duke pasur parasysh moshat e tyre.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment