Konfliktet në Afrikë e Azi, avantazh për Shqipërinë

Protestat e fundit në Afrikë e Azi sjellin investitorët e huaj në Shqipëri.

Dalja e ekonomisë botërore nga kriza dhe konfliktet civile në Afrikën e Veriut dhe disa vende të Azisë, po krijojnë një klimë të favorshme për industrinë e veshjeve në Shqipëri, që është dhe zëri kryesor i eksporteve.

”Gjatë këtij viti shihet një rritje e eksporteve dhe e ofertave nga investitorë të huaj”, thotë Flamur Hoxha, nga Dhoma e Veshjeve.

Kurse Gjergji Gjika nga Dhoma e Fasonistëve thotë se rritja e eksporteve ka ardhur si nga rritja e cilësisë, ashtu edhe nga ngjarjet e fundit në Afrikën e Jugut dhe së fundmi edhe në Azi.

”Partnerët tanë evropiane kthejnë sytë dhe shohin si alternativë Shqipërinë”, thotë Gjika.

Në katër muajt e parë të vitit eksportet e tekstileve dhe këpucëve u rritën sipas Institutit të Statistikave me 19 për qind. Sipërmarrësit e kësaj industrie thonë se kjo periudhë do të jetë përcaktuese për të ardhmen e industrisë së veshjeve në Shqipëri. ”Nëse do të arrihet të ketë rritje, mendoj se mund të hedhim baza të sigurta për disa vite në të ardhmen”, thotë Hoxha.

Por që kjo klimë e favorshme të kthehet në avantazh, duhet që Shqipëria të mësojë nga eksperiencat e vendeve të tjera. Gjergji Gjika thotë se, që industria të krijojë avantazhe, duhet të tentojë prodhimin e përqëndruar

”T’i ofrojmë prodhuesve me emër një produkt të integruar ’made in Albania’ që nis më kepucët dhe përfunon me veshjet”, thekson Gjika.

Por industria, nuk e ka fuqinë financiare për të përqëndruar prodhimin. ”Ne kërkojmë negociata me donatorët me qeverinë për të ngritur një qendër të ofertës së integruar”, thotë Gjika.

Vitin e kaluar eksportet e tekstileve dhe këpucëve ishin rreth 556 milionë dollarë duke qënë sërish zëri i parë me 35 për qind e totalit.

(top channel)

No comments:

Post a Comment