Kombëtarja, gjysma e ekipit në merkato

Derisa trajneri i “kuqezinjve”, Josip Kuzhe, shpreson të ndërtojë një skuadër të mirë për t’u përballur në ndeshjen miqësore me Argjentinën, vëmendja e futbollistëve të kombëtares shqiptare duket e përqendruar diku tjetër tashmë.
Në këtë fillim të periudhës së merkatos, thuajse gjysma e ekipit përfaqësues është pa skuadër apo në kërkim të transferimit në një klub më të mirë.
Duke nisur nga Lorik Cana, Ervin Bulku, Ervin Skela, Jahmir Hyka, Andi Lila, Emiljano Vila, Edmons Kapllani, Armend Dallku, Klodian Duro apo Gjergji Muzaka, të gjithë janë në kërkim të “eksperiencave” të reja.
Futbollistët kuqezinj që luajnë në Shqipëri duan të transferohen jashtë për të luajtur në nivele më profesioniste, ndërkohë që ata që janë në vende të tjera, synojnë të gjejnë ekipe ku paguhen më mirë.
Pas rënies së Arka Gdynias nga kategoria, Ervin Skela është pa ekip dhe ai përflitet se mund të shkojë në Arabi. Sa i përket Duros, Lask Linzi në Austri është i gatshëm ta mbajë, por kjo skuadër ka rënë nga kategoria dhe kjo do të thotë se rroga e mesfushorit kuqezi do të ulet ndjeshëm.
Një pjesë e futbollistëve “kuqezinj” kanë skuadër, por ata kërkojnë të ndryshojnë destinacion. Në këtë listë hyn Lorik Cana, që është në tratativa me Lacion, por që ende nuk është arritur pajtimi final mes dy klubeve.
Një tjetër emër është Ervin Bulku, që luan me Hajdukun e Splitit. Mesfushori luan në një klub të madh, por ai kërkon një vend ku të paguhet më mirë.
Sa i përket Armend Dallkut, ai e konsideron veten gjithnjë në merkato, ndërkohë që ndryshe është rasti i Edmond Kapllanit. Sulmuesi durrsak e ka përfunduar epokën e huazimit te Paderborni dhe është rikthyer tek Augsburgu, por ky klub kërkon ta shesë dhe ofertat nuk mungojnë.

(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment