Klif: Kosova -shtet, s’është pjesë as e Serbisë, as e Shqiperisë

“Zgjidhja e situatës në veri të Kosovës kërkon angazhim të përbashkët. Nuk mundet një vend i huaj ta zgjidhë problemin e veriut të Kosovës. Por duhet që të jemi shumë kreativ dhe të punojmë në një strategji të përbashkët për t’iu qasur problemeve në veri”, ka thënë, ndër të tjera z. Ian Klif, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovës në emisionin “Sy më Sy” gjatë bisedës që me te ka bërë Antigona-Baxhaku-Idrizi, redaktore përgjegjëse në RTV21.

: Cili është qëndrimi i Britanisë së Madhe rreth ndarjes së Kosovës ose shkëmbimit të territoreve me Serbinë?

KLIF: Ne mendojmë se kjo është një ide e keqe. Duke folur nga përvoja ime në B e H unë e di pse kjo është një ide e keqe. Kur sekretari ynë i jashtëm ishte për vizitë këtu, e tha shumë qartë se komuniteti ndërkombëtar ka rivizatuar kufijtë e Ballkanit vazhdimisht për 130 vjet të tëra dhe koha për këto gjëra tashmë ka kaluar. Ne duhet të punojmë me kufijtë aktual. Dhe, nëse shikohet situata në rajon, shihet qartë pse ndarja nuk është ide e mirë dhe pse mund të prodhojë probleme të tjera.

B e H dhe Kosova

: Mirëpo, ka kohë që përmendet ideja e këmbimit të pjesës veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës. Nëse Kosova dhe Serbia e arrijnë këtë marrëveshje, cili do të jetë reagimi i komunitetit ndërkombëtar. A do të lejojë një gjë të tillë?

KLIF: Unë shumë dyshoj se Kosova dhe Serbia do të merren vesh për këtë punë. Ajo që po thoni ju, është tentim për krijim të shteteve etnike në Ballkan dhe sido që i rishkruani kufijtë një minoritet do të mbetet në njërin vend të caktuar. Siç e thashë edhe më parë një ide e këtillë mund të nisë probleme të shumta në Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni dhe në shumë vende të tjera.

: Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mos jetë e integruar në jetën në Kosovë dhe për këtë e kanë përkrahjen e Beogradit zyrtar. Sipas jush çka duhet të bëjë Qeveria e Kosovës për integrimin e veriut?

KLIF: Mendoj se është një proces afatgjatë. Nëse shikoni çka ka ngjarë në jug të lumit Ibër, do të shihni një përparim shumë të madh në krahasim me gjendjen para tri vjetëve. Aty kemi një qasje më të mirë për serbët. Situata në veri kuptohet që është ndryshe. Kjo pjesë është territorialisht e ngjitur me Serbinë dhe është popullatë homogjene. Qeveria së bashku me ne të komunitetit ndërkombëtar duhet të punoj në një strategji për një proces paqësor që gradualisht do të siguronte pranueshmërinë nga serbët e veriut. Unë e di se kjo nuk do të jetë e lehtë dhe do të kërkojë shumë kohë. Prandaj mendoj se pikërisht për këtë gjë komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i angazhuar këtu edhe për një kohë të gjatë.

Kosova dhe dy Gjermanitë

:Beogradi zyrtar ka propozuar modelin e dy Gjermanive të dikurshme si mënyrë të zgjidhjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çka mendoni për këtë ide?

KLIF: Kam dëgjuar shumë për këtë ide. Dhe, sipas meje ka një dallim substancial me situatën këtu. Ajo që të gjithë duhet kuptuar është se dy Gjermanitë ishin anëtarësuar bashkë në Kombet e Bashkuara, kurse këtu vetëm Serbia është anëtare e Kombeve ë Bashkuara, Kosova nuk është. Mendoj se tërheqja e një paraleleje nuk është adekuate. Kuptohet, duhet të jemi mendjehapur sa i përket ideve. Ne e kemi pakon e Ahtisarit që siguron hapësirë të madhe për manovrim dhe mbase mund të përdoren edhe modele të ndryshme që i kemi ne në Britaninë e Madhe ku kemi shkallë të ndryshme të kompetencave për Skocinë, Irlandën e Veriut dhe Uellsin.

: Pra, ju po propozoni ide konkrete për zgjidhjen e situatës në veri?

KLIF: Jo. Unë mendoj se kjo kërkon angazhim të përbashkët. Nuk mundet një vend i huaj ta zgjidhë problemin e veriut të Kosovës. Por duhet që të jemi shumë kreativ dhe të punojmë në një strategji të përbashkët për t’iu qasur problemeve në veri.

Institucionet dhe veriu

: A mundet Prishtina zyrtare të zgjidhë vetë problemin e veriut kur kemi parasysh qëndrimin e 21vazhdueshëm refuzues të Beogradit ndaj realitetit. Nëse Beogradi nuk e ndryshon qëndrimin ndaj realitetit në Kosovë, çka tjetër mundtë bëhet nga institucionet e Kosovës?

KLIF:Mendoj se institucionet duhet të shtrihen në veri. Një prej tyre është policia. Unë e di se ka shumë probleme rreth shtrirjes së autoritetit të Policisë së Kosovës në veri, por mendoj se është shumë e rëndësishme që të ruhet dhe forcohet roli i Policisë së Kosovës në veri. Më pas duhet shikuar edhe faktet tjera. Edhe vetë Serbia, në teori, e pranon e Kosova si tërësi përbën një zonë të vetme doganore. Mirëpo, për momentin as Serbia e as Kosova nuk janë duke vjelë mjete nga doganat në veri. Unë mendoj se duhet shikuar mirë këtë çështje. Pra, ka gjëra ku mund të punohet, ka gjëra që janë shumë të komplikuara dhe pikërisht për zgjidhjen e tyte, nevojitet intervenimi i komunitetit ndërkombëtar.

Ballkani dhe Bashkimi Evropian

: Kur jemi tek komuniteti ndërkombëtar, duhet thënë se ata nuk kanë dërguar ndonjë sinjal se Beogradi është i detyruar ta njohë Kosovën, për tu integruar në BE. A do të thotë kjo se po i jepet ende kohë Beogradit që të vazhdojë të mos e njeh realitetin në Kosovë duke provuar ta minojë punën e institucioneve të Kosovës?

KLIF: Fillimisht mendoj se ne në Britaninë e Madhe kemi qëndrim shumë të qartë se i tërë Ballkani perëndimor, përfshirë Serbinë e Kosovës duhet të lëvizë drejt integrimeve në Bashkimin Evropian. Vendet po lëvizin në këtë drejtim me shpejtësi të ndryshme, mirëpo, BE-ja është caku për të gjithë. Pikërisht një gjë e këtillë është nënshkruar nga vetë BE-ja në Samitin e Selanikut para tetë vjetëve dhe mendoj se caku final është BE-ja. Sa i përket njohjes, përbrenda BE-së , ekziston një problem meqë pesë vende anëtare nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Kjo bënë që të gjitha përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare të jenë më vështirë të realizueshme dhe më të komplikuara. Sa i përket Britanisë së Madhe mesazhi ynë për Serbinë është shumë i qartë. Këtij vendi i duhet të punojë në të gjitha çështjet që janë në agjendën e BE-së dhe kjo do të thotë se edhe marrëdhënie të mira ne fqinjët dhe mendoj se kjo është pikënisja për Serbinë.

: A do të thotë kjo se Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e pranuar Kosovën?

KLIF: Kjo është një pyetje në të cilën ne nuk do të përgjigjemi kurrë dhe unë nuk do të përgjigjem tani. Ne duhet të kalojmë nëpër një proces. Vende të ndryshme të BE-së kanë qasje të ndryshme rreth kësaj çështjeje, por ne ia kemi bërë të qartë Serbisë se duhet të punojë shumë në marrëdhëniet me Kosovën dhe për këtë arsye dialogu Prishtinë – Beograd është shumë i rëndësishëm. Fillimisht duhet pak bashkëpunim konkret në terren dhe kjo më pas mund të avancojë procesin, mirëpo, nëse thjesht e dërgojmë një ofertë në tavolinë me qasjen “merre ose leje”, kjo nuk i ndihmon fare procesit që të ecë përpara. E di që për shumë njerëz në Kosovë kjo është bezdisëse.

Dialogu dhe veriu

: Jo, në fakt nuk është ashtu sepse të gjithë janë në kërkim të zgjidhjeve të problemeve. Përmendët dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se veriu ose ndarja mund të jenë tema në rrethet e ardhshme të dialogut?

KLIF:Mendoj se çështjet e ndërlidhura me veriun veçse kanë qenë pjesë e dialogut. Çështjet si energjia, telekomunikacioni dhe të tjera ndërlidhen edhe me situatë në veri.

: Poashtu edhe doganat?

KLIF:Doganat janë çështje e veçantë dhe shumë e rëndësishme të cilës do ti kthehem më vonë. Tani, nëse veriu do të sillet në tavolinë si çështje e veçantë siç e kërkon Serbia, apo do të diskutohen çështjet një nga një, këtë nuk e di ende. Mirëpo, unë mund të them se ndarja nuk do të jetë në agjendën e bisedimeve. Mendoj se Baronesha Eshton, përfaqësuesja e lartë e BE-së, ia qartësoi mirë këtë qëndrim Beogradit zyrtar. Ndarja nuk është në agjendë. Nuk do të flitet për atë çështje.

: Mirëpo, tërë kohën po dëgjojmë deklarata nga njerëzit kryesor të politikës në Serbi, përfshi edhe Presidentin Tadiq, se Serbia është e gatshme ta diskutojë ndarjen e Kosovës, madje ta bëjë këtë e Shqipërinë dhe jo me Kosovën. Si e komentoni këtë?

KLIF:Unë mendoj se kjo është vetëm një lojë politike dhe një lojë të cilën qeveria ime nuk është e gatshme ta luajë. Kosova është e pavarur dhe nuk është pjesë e Serbisë, por nuk është as pjesë e Shqipërisë. Ideja që mundtë diskutohet diçka e tillë mendoj se nuk ka fare bazë dhe mendoj se edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian nuk do ta pranonin këtë qasje. Unë e di se lansohen hipoteza rreth kësaj çështjeje siç ishin deklaratat e z.Daçiq para disa ditësh edhe për të parë se si do të reagojmë ne të gjithë ndaj këtyre ideve. Për këtë arsye mendoj se është mirë që të gjithë të reagojmë në mënyrë shumë të vendosur në mënyrë që Serbia ta kuptoj mesazhin se ndarja nuk është fare në agjendë.

Dialogu dhe sovraniteti i Kosovës

: Kur flasim për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, cili do të duhej të ishte qëndrimi zyrtar i Kosovës, nëse Beogradi devijon dialogun në natyrë politike dhe propozime konkrete politike hedhen në tavolinë?

KLIF: Rregullat, nëse mund t’i quajmë ashtu, e këtij dialogu janë që të mos preket sovraniteti dhe çështjet politike. Është një dialog për disa zgjidhje praktike që të përmirësohet jeta e qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi. Me sa di unë ky është edhe qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, kështu që prezantimi eventual i çështjeve politike ose territoriale në dialog është një çështje hipotetike. Dialogu nuk ka të bëjë me ato çështje dhe Robert Kuper nuk është kryesues i një dialogu politik.

: Gjithnjë duke pas parasysh situatën në veri ku autoritetet e Kosovës nuk kanë kompetenca të plota, a ka arsye për të besuar se kjo zonë do të mbetet për një kohë të gjatë zonë krize, apo do të shndërrohet në një konflikt të ngrirë. Këtë e them duke pas parasysh qasjen e Beogradit dhe Prishtinës, por edhe reagimin e ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje?

KLIF: Mendoj se rreziku i një konflikti të ngrirë ekziston dhe unë dua të angazhohem shumë që kjo të mos ndodhë. Duke qenë ambasador në OSBE në katër vitet e fundit unë e kam parë se çka ka ndodhë me konfliktet e tjera të ngrira në Evropë si në Moldavi e në Gjeorgji. Ato ose bëhen konflikte të zjarrta përnjëherësh, gjë që mendoj se në Kosovë nuk do të ndodhë, ose mbesin situata të tilla për një kohë të gjatë dhe kjo më së paku do t’iu konvenonte njerëzve në veriun e Kosovës. Mendoj se gjërat duhet ti mbajmë në lëvizje. Siç e thash duhet të jemi kreativ në kërkim të zgjidhjes. Unë nuk e kam “plumbin e argjendtë” por e di se duhet punuar konkretisht në disa çështje. Për shembull mund të punohet më shumë në sundimin e ligjit në veri të Kosovës.

Katër rrathët e dialogut

: Kur flasim për dialogun dhe temat që u trajtuan, duhet thënë se katër rrethe u zhvilluan, por rrethi i pestë o dialogut është shtyrë. Sipas jush a është kjo një shenjë se Kosova dhe Serbia janë afër ndonjë marrëveshjeje, apo e kundërta?

KLIF: Nuk mendoj se është e kundërta. Nuk mendoj se është ndonjë befasi që bisedimet kanë arritur deri në atë shkallë sa të kërkohet shtyrje e ndonjë rrethi. Unë kam biseduar me Edita Tahirin edhe është e qartë se Brukseli kërkon që këtë muaj të ketë bisedime. Në anën tjetër dua të mendoj se palët janë në prag të arritjes së marrëveshjeve dhe sa më shumë që i afrohemi marrëveshjes, aq më shumë rëndësi kanë detajet dhe për këtë mund të ketë ngecje, mirëpo, kjo nuk është një gjë tragjike. Mendoj se ka shumë shenja se do të arrihen marrëveshje. Mendoj se edhe nëse arrihen marrëveshje për çështjet aktuale si vulat doganore ose liria e lëvizjes, ky është një proces që vazhdon dhe nuk bën assesi të ndalemi. Nuk është e pranueshme që pas disa marrëveshjeve, që pas disa marrëveshjeve në BE, të themi se dialogu e ka kryer misionin e vet. Qëllimi i dialogut është që të jetë proces i vazhdueshëm dhe të adresojë të gjitha çështjet në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

: Duke u bazuar në katër rrethet e para a është Qeveria e Britanisë së Madhe e kënaqur me rrjedhën e dialogut deri më tani dhe me të arriturat, nëse ka pasur ndonjë sukses?

KLIF: Ne duhet të shikojmë se çka do të del nga dialogu në kuptimin e marrëveshjeve praktike. Pastaj me rëndësi nuk është vetëm arritja e marrëveshjeve, por edhe zbatimi i tyre. Thashë se do të flas më vonë për doganat por, mua më duket që për Kosovën rëndësi vitale ka rifillimi i tregtisë dhe zhvillimi ekonomik. Krijimi i vendeve të reja të punës. Kjo do të thotë krijimi i një mundësie për bizneset Kosovare që të mund të eksportojnë mallrat. Aktualisht kjo është barriera më e madhe meqë nuk mund të eksportojë mall askund në drejtim të veriut. Siç e thashë, asnjë çështje nuk është zgjidhur ende. Por, qeveria ime ka besim të madh të negociatorët e përfshirë në dialog, qoftë ata të BE-së qoftë ata të Kosovës e Serbisë. Kemi arsye për të qenë optimistë dhe mendoj se dialogu ka shkuar mjaft mirë dhe shumë më mirë se që është menduar nga disa njerëz në Prishtinë, të cilët pohonin se dialogu i shërben vetëm Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. Tani mendoj se për të gjithë është e qartë se dialogu prek çështjet e rëndësishme për të dyja palët.

Britania e Madhe dhe dialogu Kosovë-Serbi

: Sa është e përfshirë Qeveria e Britanisë së Madhe në procesin e dialogut?

KLIF:Ne vazhdimisht po mbajmë kontakte me të gjitha palët. Unë vazhdimisht flas me njerëzit e këtushëm. Homologu im në Beograd flet me njerëzit e atjeshëm dhe kemi kontakte edhe me Baroneshën Eshton dhe me njerëzit në Bruksel. Ne nuk jemi palë e dialogut, por po bëjmë pjesën tonë të punës si një vend mik i Kosovës dhe i Serbisë dhe si një vend anëtar i BE-së që ky proces të ketë sukses.

:Kemi dëgjuar më herët deklaratat e Presidentit Tadiq dhe shumë liderëve të tjerë serbë se nuk do ta njohin kurrë Kosovën shtet. Mirëpo, para ca kohësh për vizitë në Kosovë ishte z. Stefanoviq. A do të thotë kjo se Serbia po e ndërron qasjen ndaj Kosovës kur dihet se Stafanoviq u takua me zyrtarët e Republikës së Kosovës?

KLIF:Ai thotë se kjo ka qenë vizitë jozyrtare. Ne në Britani të Madhe nuk i japim shumë rëndësi protokollit. “Kurrë” mendoj se nënkupton një kohë shumë të gjatë. Kush do të thoshte para 30 vjetëve se sot do të jemi në një situatë ku secili vend në Evropë, aspiron të jetë anëtar i Bashkimit Evropian? Situatat ndryshojnë me kohë. Unë nuk mendoj se Serbia do ta pranojë Kosovën nesër, por nuk besoj se është fjalë e duhur të thuhet “kurrë”.

EULEX-i dhe sundimi i ligjit

: Ndër çështjet më të përfolura për kohë të gjatë në Kosovë është sundimi i ligjit. Institucionet e Kosovës kanë pohuar publikisht se nuk janë të kënaqura me punën e EULEX-it. Cili është vlerësimi juaj për punën që e ka bërë EULEX –i këtu?

KLIF: Këtu të gjithë jemi në një proces të mësimit. EULEX-i është misioni i parë i këtij lloji dhe i kësaj përmase në historinë e Be-së. Mendoj se nuk është befasi që ka pasur ca ngecje. Po ashtu ky mision ballafaqohet me një situatë shumë komplekse në Kosovë. Pas ngjarjeve të vitit 1999 dhe të gjitha ngjarjeve paraprake, sundimi i ligjit nuk është vendosur plotësisht në Kosovë dhe për EULEX-in kjo ka qenë sfidë e madhe. Unë dua të theksoj se ne përkrahim EULEX-in, siç e dini paraardhesi im në post është njeriu i dytë në EULEX tani, po ashtu një numër i madh i oficerëve të EULEX-it përfshirë kreun e doganave janë nga Britania e Madhe dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që EULEX-i të aftësohet. Edhe pse shumë njerëz e kanë kritikuar EULEX-in, ata më pas kanë ndërruar qëndrim duke thënë se EULEX-i është organi i vetëm që mund të hetojë akuzat e Dik Martit. Këtu nuk mund të vlejnë të dyja pohimet. Nuk mund të thuhet se EULEX-i nuk është efektiv dhe më pas të thuhet se duhet të hetojë një çështje aq të ndjeshme.

:A është vlerësimi juaji se EULEX-i ka bërë punë të mirë në Kosovë, apo është ende duke mësuar?

KLIF:Mendoj se është ende duke mësuar. Unë vetë kam parë nga afër pjesën më pak publike të EULEX-it. Kam qenë në një gjykatë në Pejë, ku po gjykohej një çështje jopolitike nga një gjykatës britanik të cilin e kam njohur që nga koha në Bosnje dhe mendoj se përkrahja që gjykatësit ndërkombëtare ia kanë dhënë kolegëve të tyre vendorë është shumë e çmueshme, por është diçka që nuk ka vëmendje të madhe të mediave. Mendoj se puna që po bëhet në dogana është shumë e rëndësishme për arsyet që i përmendëm më herët. Këtu duhet që sa më shpejtë t’i funksionalizojmë doganat për të rritur të hyrat e qeverisë. Ka pas kritika se EULEX-i nuk ka ndërmarrë asgjë në veri por kemi parë përfshirjen e këtij misioni në një rast shumë serioz kriminal dhe mendoj se duhet të shohim intervenime të tilla më shpesh. Edhe vetë Serbia e pranon se kriminaliteti në veri të Kosovës është në shkallë shumë të lartë dhe sundimi i ligjit në veri të Kosovës është edhe në interes të Serbisë njëjtë siç është në interesin e të gjithëve dhe mendoj se duhet të punohet më shumë në këtë drejtim.

Imazhi i Kosovës dhe Raporti i Martit

: Duke pas parasysh problemet me sundimin e ligjit dhe raportin e Dik Martit, si mendoni se po ndikojnë këto gjëra në imazhin e Kosovës, në kohën kur Kosova po kërkon më shumë njohje që të siguroj anëtarësimin në OKB? Si mundtë ndihmojë Qeveria e Britanisë së Madhe në këtë drejtim?

KLIF: Mendoj se fjala është për dy çështje të ndara. Nuk ka fare dyshim se raporti i Dik Martit e ka dëmtuar imazhin e Kosovës dhe për këtë jemi shumë të kënaqur qe Qeveria e Kosovës ka pohuar se do të përgjigjet në çdo pyetje dhe në çdo hetim rreth çështjes dhe se do të mbështesë hetimet e EULEX-it. Mendoj se kjo ka ndihmuar që të zbuten efektet negative të kësaj afere. Unë nuk kam dëgjuar asnjë vend që thotë se nuk do ta njohë Kosovën për shkak të këtij raporti. Qeveria ime veçse ka bërë një strategjitë të detajuar për të siguruar më shumë njohje për Kosovën dhe tani jemi duke e harmonizuar atë me strategjinë që e ka bërë Ministria e Jashtme në Kosovë dhe ministri Hoxhaj dhe zv/kryeministri Pacolli janë pjesë të këtij procesi. Është një punë shumë e vështirë sepse serbët po punojnë në drejtim të kundërt, mirëpo, raporti i Dik Martit nuk besoj se shihet si pengesë për njohjet e mëtutjeshme të shtetit të Kosovës.

: Cilat vende ose cilat rajone do të jenë prioritet për diplomacinë britanike në lobim për njohje të reja për Kosovën?

KLIF: Unë do të thoja se ky nuk është angazhimi i vetëm, por fokusi është në shtetet e Komonuellthit Britanik dhe në Lindjen e Afërt. Kuptohet që me shtetet e Komonuellthit kemi lidhje të veçanta dhe e dimë së paku një vend të Komonuellthit që refuzon ta njohë Kosovën, fjala është për Qipron, por ka vende të tjera që mund ta bëjnë këtë. Kurse, sa i përket Lindjes së Afërt jemi duke punuar shumë në vendet e Gjirit Arabik, meqë deri më tani vetëm Kuvajti e ka pranuar Kosovën. Po ashtu do të shohim se çka do të ngjajë me revolucionet demokratike në Afrikën veriore dhe më pas do të shohim edhe qasjen e këtyre vendeve. Pra, këto rajone janë prioritet, por me këdo që kemi kontakte të mira ne po mundohemi t’ua qartësojmë çështjen dhe po lobojmë që ata ta njohin pavarësinë e Kosovës.

: Ju përmendët se nga 27 vendet anëtare të BE-së, pesë nuk e kanë njohur Kosovën. Si mund të ndikoj Kosova që ato të ndryshojnë qëndrimet zyrtare?

KLIF: Ne nuk mund ta detyrojmë askënd më që të bëjë diçka. Nuk mund te sigurojmë pranime duke përdorë forcën. Mendoj se në Ballkan kemi përdorë forcën mjaft. Ideja është që njerëzve dhe opinionit publik tu qartësohet mirë çështja e Kosovës dhe tu shpjegohet se ajo dallon nga çështjet tjera që mund të duken si probleme të ngjashme. Mirëpo, ideja është që të mos flitet vetëm me qeveritë, por arritje deri tek shoqëria civile në Spanjë ose në Rumani e Sllovaki është shumë e rëndësishme dhe në këtë drejtim edhe po punojmë sipas strategjisë aktuale.

: Si do ta vlerësonit punën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës? A kanë punuar sa duhet, a kanë strategji të duhur?

KLIF: Shihet se nuk kanë bërë sa duhet. Askush nga ne nuk ka bërë sa duhet sepse na duhen 192 njohje dhe tani i kemi vetëm 76, kështu që ka edhe shumë punë. Por, jam shumë i impresionuar me strategjinë e ministrit të jashtëm. Në vizitën e fundit që z.Hoxhaj e kishte në Londër e pashë se kishte informata për qëndrimin e secilit shtet dhe arsyet pse vendet e caktuara nuk e pranojnë Kosovën dhe ato ishin informata të përafërta me ato që kishim ne, ndonëse Qeveria e Britanisë ka rrjet diplomatik dhe resurse shumë më të mëdha. Kjo më ka impresionuar shumë. Por tani na duhet të shtypim butonat e duhur në vendet e duhura me qëllim të sigurimit të më shumë njohjeve.

Kosova dhe sfidat

: Në fund dua të dëgjoj vlerësimin tuaj. Keni ardhur nga Londra dhe shikuar nga ajo perspektivë cilat janë sfidat e Kosovës, pasi që duket se tri vjet pas pavarësisë sfidat nuk kanë ndryshuar?

KLIF:Fjala është për sfida shumë të mëdha dhe nuk është befasi që nuk janë tejkaluar për tri vjet. Unë do të thoja se sundimi i ligjit është vital sepse ndërlidhjet me të gjitha segmentet e tjera. Ndërlidhet me sigurinë dhe me tërheqjen e investitorëve të huaj që është një gjë shumë e rëndësishme. Mendoj se ekonomia është një sfidë shumë e madhe për qeverinë këtu. Qeveria e Britanisë së Madhe mendon se është vërtetë fat i keq që Kosova doli nga binarët në marrëveshjen e parë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ne besojmë se duhet zvogëluar shpenzimet qeveritare për tu rritur të hyrat. Shumë vende që nuk e kanë bërë këtë më pas kanë hyrë në telashe të mëdha. Mendoj se Kosova duhet që seriozisht të marrë këshillat nga FMN-ja. Po ashtu me rëndësi është rritja ekonomike. Më herët fola pak për eksportin. Mendoj se bujqësisë nuk i është dhënë rëndësi e madhe. Unë të mërkurën së bashku me ministrin e bujqësisë do të shkojmë në Gjilan për të vizituar disa prej kompanive të agrobiznesit dhe mendoj se ky sektor duhet përkrahur më shumë. Nëse mund të them nga ajo që kam parë për tre muaj këtu, e vërej një qasje pak përbuzëse të njerëzve nga rajonet urbane ndaj njerëzve nga rajonet rurale. Për dallim nga kjo në vendim tim një prej njerëzve kryesorë në bujqësi është Princi i Uellsit i cili ka interes të madh në këtë segment, kurse këtu disi kjo industri anashkalohet edhe pse është një prej segmenteve kryesore të jetës në një shtet. Unë mendoj se duhet kushtuar më shumë vëmendje bujqësisë dhe kuptohet minierat e këtushme kanë potencial shumë të madh. Duhet shikuar çështjet rreth ndotjes së ambientit nga këto miniera, por vendi ka një potencial shumë të madh ekonomik dhe mendoj se infrastruktura ligjore duhet të përmirësohet dhe këtu nënkuptohet sundimi i ligjit si një gjë shumë e rëndësishme dhe kuptohet, funksionalizimi i doganave.

: Ju i përmendet sfidat më të rëndësishme të Kosovës sipas jush. Pas tre muajsh këtu dhe takimeve me njerëzit kryesorë të politikës në vend, a keni parë gatishmëri politike për tejkalimin e tyre?

KLIF: Po. Mendoj se ka gatishmëri. Por, problemi është se sfidat janë shumë të mëdha kurse resurset janë shumë të kufizuara, ka debate se nga duhet të filloj puna dhe kjo është kuptueshme. Qeveria jonë nëpërmjet DFID-së por edhe në mënyra tjera do të jep këshilla dhe ide se si të punohet. Kuptohet njerëzit tjerë do të kenë ide të tjera në këtë proces. Nganjëherë një qeveri e re në një vend të ri mund të jetë konflikt nga shumësia e ideve dhe këshillave unë e kuptoj edhe këtë gjë.
(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment