Kapen 800 rrënjë hashash, 3 të arrestuar, në kërkim kryeplaku i fshatit

Tre persona janë arrestuar në fshatin Plan të Shkodrës pasi dyshohen se kanë kultivuar një sasi prej 800 rrënjësh lëndë narkotike. Të arrestuarit janë; Fatmir Shpati, 22 vjeç lindur në fshatin Plan, komuna Pult dhe banues në fshatin Bardhaj, komuna Rrethina Shkodër, Arben Shpati, 42 vjeç lindur në fshatin Trebek, komuna Pult dhe banues në fshatin Grudë e Re komuna Rrethina Shkodër dhe 17-vjeçari me inicialet A. P vjeç 17, lindur në fshatin Shosh. Të arrestuarit u kapën në flagrancë nga policia e Shkodrës duke punuar tokën ku u gjetën 800 bimët narkotike. Sasia e lëndës narkotike ishte mbjellë në një zonë të veçuar të fshatit dhe të tre personat e arrestuar kujdeseshin prej kohësh për trajtimin e bimëve.

Pas sinjalizimeve që janë bërë nga banorët për sasinë e madhe të drogës dje ka nisur dhe aksioni për kapjen e kultivuesve të drogës.

Operacioni i policisë është zhvilluar dje rreth orës 13:00, në vendin e quajtur Nderkiza të fshatit Plan. Veç agjentëve të policisë në këtë aksion kanë marrë pjesë dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë. Policia ka shpallur në kërkim dhe kryeplakun e fshatit Plan, Gjon Bungu, 49 vjeç pasi akuzohet për veprën penale të mos kallëzimit të krimit. Në pyetje policia ka marrë në hetim për të njëjtën veprën penale dhe rojën e policisë pyjore në këtë zonë, 60-vjeçarin Zef Guri.

(noa.al)

No comments:

Post a Comment