Kanceri, "Urdhri i Mjekut": Ilaçi i akrepit blu s' është analizuar

"Urdhri i Mjekut" në Tiranë deklaron se tregtimi i “Vidatox", helmi i akrepit blu, që shitet si një antiinflamator kundër kancerit nuk është brenda kuadrit ligjor. Presidenti Faik Toska i cituar nga “Gazeta Shqiptare” ka thënë se ilaçi nuk i është nënshtruar analizave specifike që do të vendosin nëse ai do të tregtohet në Tiranë apo jo.

Sipas Urdhrit të Mjekut, ilaçi duhet t'i nënshtrohet analizime specifike në organe të tjera kompetente dhe vetëm nëse ata vendosin se ai nuk është i rrezikshëm, atëherë "Pharma-matrix", ( kompania që tregon ilaçin) mund të bëjë tregtimin e tij.

“Nëse pacientët kanë dëshirë ta marrin, kjo është një zgjedhje e tyre, por më parë ky preparat duhet të respektojë të gjithë hallkat ligjore. Ndaj duhet t'i nënshtrohet analizave specifike që do të vendosin nëse ai do të tregtohet tek ne apo jo. Pasi, nëse pastaj ka efekte anësore, dikush duhet të mbajë përgjegjësi", citohet të ketë thënë Toska.
PEZULLOHEN MJEKET
Ndërkohë që Urdhri i Mjekut ka pezulluar nga puna dhe dy mjeket e përgjithshme që konsultonin pacientët të merrnin "Vidatox".
Vendimi është marrë pasi dy mjeket e përgjithshme Aurora Skënderi (Toska) dhe Melinda Agolli nuk ishin licencuar nga ky institucion, një procedurë kjo e detyrueshme për të gjithë ata që duan të ushtrojnë këtë profesion.
Mjeket trajnohen prej disa kohësh nga mjekë kubanezë për mënyrën se si do t'i udhëzojnë pacientët të përdorin këtë preparat, por edhe të lexojnë kartelën e tyre klinike që çdo pacient duhet ta ketë me vete, kur të kërkojë marrjen e këtij preparati.

ILACI QE VJEN NGA KUBA
"Vidatox" është një preparat natyral, që ka për bazë helmin e akrepit blu, i cili është i tretur në alkool dhe në ujë dhe sipas mjekëve kubanezë lufton qelizat tumorale.
Por ky preparat ende nuk është testuar apo miratuar as nga "Food and Drug Administration" (FDA amerikane), apo nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve (Ema), ndaj në vendet e BE-së nuk lejohet tregtimi. Sipas mjekëve ai ndikon në organizmin e të sëmurit duke e mbajtur tumorin në një gjendje stabël, ndërsa shpjegon se duke qenë se është bar natyral, ai nuk ka efekte anësore. Prodhuesi i "Vitadox" është firma farmaceutike kubaneze "Labiofarma", e cila ka marrë leje për tregtimin e tij vetëm në Shqipëri dhe në Kubë.Në vendin tonë ai tregtohet me flakone 30 ml dhe kushton 118 euro. Ai duhet të përdoret 3 muaj, dy herë në ditë nga 5 pika.
THOMA JANÇE: ESHTE NATYRAL
Administratori i "Pharma-matrix" në Tiranë deklaroi pak ditë më parë, se ky ishte një preparat natyral dhe si i tillë nuk kishte nevojë që të regjistrohej në qendrën kombëtare të barnave, pasi përbërja e tij është 100 për qind natyrale. Madje sipas tij, në Kubë, ky bar përdorej si profilaktik dhe nëse do të kishte efekte anësore, ata do të ishin shfaqur.
Mediat italiane flasin për një dyndje të shtetasve italianë drejt Shqipërisë për të siguruar ilacin kundër kancerit, pasi nuk lejohet të shitet në Itali.

(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment