Jahjaga rikandidohet për presidente?

Presidentja aktuale e Kosovës Atifete Jahjaga, mund të mos jetë presidente e përkohshme, ngase të qenit në krye të shtetit i ka rritur asaj ambicien për mandat të plotë të presidentes së zgjedhur nga votat e drejtpërdrejta të qytetarëve. Megjithëse nuk dëshiron të flas për këtë çështje, Jahjaga nuk e mohon mundësinë e kandidimit të saj për presidente të vendit.
Në një intervistë për të përditshmen “Kosova Sot”, presidentja Jahjaga ka thënë se zyrtarisht është ende herët të flitet për këtë çështje. “Është herët për një deklarim të tillë, sepse deklarimi për do të nxiste akuza se unë paskam ambicie t’u imponohem partive politike. Deklarimi jo do të thoshte se unë jam vetëm një administratore që dua ta kaloj radhën dhe se nuk paskam ambicie të jem e përkushtuar dhe të jem në shërbim të popullit dhe vendit tim. Për këtë do të vendos në kohën e duhur dhe në momentin e përshtatshëm”, ka thënë Jahjaga.
E pyetur nëse do t’i nënshtrohet marrëveshjes politike ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit apo do të insistojë në zbatim të Kushtetutës sa i përket mandatit, presidentja Jahjaga ka thënë se vetëm Kuvendi i Kosovës mund të përcaktojë nëpërmjet procedurave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj për faktin se sa do të zgjasë mandati i presidentes, a do të jetë ai i plotë apo do të ndërpritet në momentin e caktuar. “Nuk i përket presidentit të deklarohet për këtë. Unë nuk mund të jem presidente pa përkrahjen e Kuvendit, të subjekteve politike që më kanë votuar dhe që më votojnë dhe gjithashtu nuk mund të ushtrojë asnjë ditë mandatin tim jashtë normave dhe kompetencave kushtetuese”, ka thënë Jahjaga.

(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment