Imami: S’kemi avionë e anije, por do ndajmë koston e NATO-s në Libi

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes, që u zhvillua në Bruksel nga data 8 deri më datë 9 qershor 2011, ku deklaroi Shqipëria do të marrë ndajë kostot në menaxhimin e Libisë pas konfliktit. “Shqipëria nuk ka kapacitete ajrore, apo navale për të marrë pjesë në këtë operacion, që synon embargon e armëve dhe krijimin e zonës së ndalim-fluturimit. Por Shqipëria do të marrë pjesën e saj në ndarjen e kostove të fushatës ajrorë të NATO-s në Libi. Shqipëria angazhohet për të kontribuar në të ardhmen e afërt me çfarëdo lloj kontributi, që do të ketë nevojë terreni, apo teatri i zhvillimeve post Gadafi në Libi. Fryma e përgjithshme e bisedimeve në këtë Ministerial është gadishmëria e vendeve anëtare për të kontribuar,” tha Imami për radoin “Dojçevele”. Ai tha më tej pas takimit se vendi ynë do të jenë përfitues i mbrojtjes balistike. “U diskutua për mbrojtjen balistike, u diskutua edhe për mbrojtjen bërthamore dhe në të gjitha këto diskutime ka pasur konsensus të plotë, të qartë. Shqipëria do të jetë përfituese e sistemit të mbrojtjes balistike. Këtu dua ta informoj mbarë opinionin publik shqiptar lidhur me nevojën për bashkëpunim dhe partneritet me Rusinë, por sigurisht, edhe nga disa pozicione të qarta që bëjnë interesat e vendeve anëtare, po kështu që respektojnë deri në fund artikullin 5 të mbrojtjes kolektive”, tha Imami pas takimit në Bruksel. Gjatë bisedimeve, ministrat e Mbrojtjes të 28 vendeve të NATO-s morën disa vendime të rëndësishme mes të cilave edhe qëndrimin e trupave të NATO-s për 3 muaj të tjerë në Libi. Në axhendën e takimit dyditor që u mbajt në selinë e NATO-s, Bruksel, ndër të tjera ishte parashikuar një mandat i dytë për të mbrojtur civilët dhe zonat civile nga rreziku i sulmeve terroriste në Libi, si dhe krijimi i një zone të ndalim-fluturimit dhe embargove të armëve. Pjesë e axhendës ishte edhe çështja e Rusisë dhe ecuria e mëtejshme e misionit paqeruajtës në Afganistan. Ata theksuan angazhimin e tyre të vazhdueshëm për funksionimin, duke përfshirë dhe duke siguruar kapacitetet e nevojshme për të vazhduar dhe për të përfunduar këtë operacion. Në fjalën e tij, ministri Imami rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen që vendi ynë i jep misionit të NATO-s në Libi e më gjerë, duke ofruar të gjitha kapacitetet që ajo disponon, në favor të paqes dhe lirisë kudo ku është e nevojshme. “Ka pasur disa tema themelore që u trajtuan këto dy ditë. Një nga çështjet kryesore është ajo e operacioneve në Libi dhe në Afganistan. Operacioni në Libi mori një mandat të dytë, i cili u shty edhe për 90 ditë. Ajo që është e rëndësishme është se konsensualisht u ra dakord për vijimësinë e operacioneve apo për më tepër, për një fazë post-Gedafi, do të jetë OKB-ja, e cila ka rolin kryesor. Së dyti, do të duhet të luajnë një rol të rëndësishëm dhe parësor organizatat rajonale, si: Unioni Afrikan, Lidhja Arabe, Konferenca Islamike dhe, sigurisht, në këtë kontekst, NATO-ja është e vendosur për të mos pasur trupa në terren. Por kjo nuk do të thotë që të gjithë, sikurse edhe BE-ja, po ashtu NATO-ja, do të duhet të japin të gjithë kontributin e mundshëm të duhur që populli libian të vendosë për fatin e tij dhe të kryejë një tranzicion demokratik me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi ministri Imami.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment