Hyseni: Pacolli nuk di të lobojë

Qeveria e Kosovës ka lënë politikën e jashtme pa adresë , kështu ka thënë ish-Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni. Hyseni nuk beson në strategjinë e njohjeve dhe se Pacolli nuk di të lobojë. Ish–Ministri i Jashtëm pohon se mbetet i përfshirë në procesin e lobimit, duke shfrytëzuar lidhjet e moçme.

“Është një pështjellim dhe gabim shumë i madh strategjik që Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të emërojë aq shumë ekzekutues të politikës së jashtme. E them me keqardhje që politika e jashtme e Kosovës sot është pa adresë të qartë. Është pa adresë të saktë, sepse nuk dihet kush e bën politikën e jashtme. Nuk dihet kush e ekzekuton politikën e jashtme. Nuk dihet cili është mekanizmi veprues i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hyseni të premten, në një bisedë për Express.

“Në rrethana normale, në shtete normale, është Qeveria përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, ai dikaster që e bën planin e punës dhe veprimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkaq, shërbimi diplomatik i vendit është instrumenti ose mekanizmi që zbaton përkatësisht mekanizma veprues të politikës së jashtme, është diplomacia e vendit”, ka shtuar ai.

Qeveria para disa ditësh ka miratuar një dokument (Strategjinë për njohje), me të cilin synon të përmbyllë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Unë nuk di çfarë strategjie është ajo, uroj të jetë një strategji, siç po proklamohet me pompozitet se do të japë ndonjë fryt. Unë dyshoj. Kam dyshime të thella, sepse jo rrallëherë janë bërë shumë strategji, por kanë mbetur veç në letër. Ndërkaq, veprime konkrete, analiza konkrete për secilin shtet veç e veç, ato janë bërë në vazhdimësi nga MPJ’ja. Janë pasur parasysh vazhdimisht gjatë lobimit për njohje”, ka thënë Hyseni për këtë dokument. 

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment