Huper: Elita politike serbe, s’ka heqë dorë nga territori i Kosovës

Xhems Huper, analist dhe njohës i mirë i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, thotë se Serbia në periudhën e ardhshme do të jetë e preokopuar me çështjen e kufijve shtetërorë. “Mendoj që elita politike serbe akoma nuk ka heqë dorë nga përpjekjet që të bashkojë territore shtesë. Kjo ka të bëjë me pjesë të territorit të Kosovës si dhe pjesë të territorit të BeH”, tha Huper në një intervistë për shërbimin serb të “Zërit të Amerikës”. Sipas Huperit gjithnjë ndërsa aspiratat e tilla ekzistojnë – do të ekzistojë edhe rreziku nga shpërthimi i dhunës së re, luftës së re, si dhe rreziku i minimit të lidhjeve të Beogradit me Bashkimin Evropian dhe me SHBA-në, që kanë avancuar nga largimi i Millosheviqit deri më sot”. Megjithatë Huper nuk beson që ambiciet e tilla territoriale janë reale. “Mendoj se ato vetëm mund të shërbejnë si bazë politike për të qëndruar dhe për ta mbajtur pushtetin brenda Serbisë. Bëhet fjalë për qëndrime të elitës politike, e jo të njerëzve të zakonshëm”, thotë Huper. Edhe pse elita politike flet për rrugën drejt Evropës, thotë ky analist, dihet mirëfilli se tani kryesisht merret me çështjen e kufijve shtetërorë. “Kjo temë e cila deri vonë ishte objekt i diskutimeve në koluaret politike, ka dalë në publik madje nga ana e zëvendëskryeministrit të qeverisë serbe Ivica Daçiq”, tha Huper. Në fund ai rikujtoi se politika e cila shpie në të ardhmen prosperuese evropiane të Serbisë nënkupton marrëdhënie të mira me fqinjët, përfshirë Kosovën dhe BeH, tha analisti Xhems Huper, i cili aktualisht ushtron detyrën e drejtorit të organizatës PILP e cila u ofron shërbime juridike falas qeverive dhe shteteve të angazhuara në negociata paqësore.
(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment