Hoxhaj: Idetë e Tadicit, kundër vlerave evropiane

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, lidhur me deklaratat e presidentit serb, Boris Tadic, se politikanët shqiptarë kanë qëllim afatgjatë “Shqipërinë e Madhe“, ka thënë se një deklaratë e tillë nuk ka të bëjë aspak me realitetin.

“Ajo çka ai thotë është në kundërshtim me çdo gjë që simbolizon Evropën. Krijimi i shteteve monoetnike, lëvizja e kufijve, ndërrimi i territoreve, të gjitha këto janë shumë të rrezikshme. Kufijtë e Ballkanit qëndrojnë. Kosova është produkti i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ky fakt tani njihet nga 76 shtete anëtare të OKB-së”, ka thënë Hoxhaj gjatë një interviste për gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Rreth çështjes së veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se në kohën prej vitit 2005 e deri në vitit 2007 nën udhëheqjen e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisaari, në Vjenë u zhvilluan negociatat, esenca e të cilave ishte mbrojtja sa më e mirë e pakicave etnike në Kosovë. Rezultati apo zgjidhjet kosovare për integrimin e pakicave, sipas tij, kanë karakter modeli për të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Në veri të Kosovës më shumë është çështje e sundimit të ligjit. Në këtë pjesë qysh gjatë kohës së administrimit nga institucionet e UNMIK-ut, u krijuan struktura ilegale të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Zgjidhja për veriun është tashmë e njohur dhe kjo është zbatimi i Planit të Ahtisaarit. Kushtetuta e vendit duhet të zbatohet edhe në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Sa i përket bllokadave që Serbia vazhdon t’i bëjë anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ministri Hoxhaj ka theksuar se Serbia po përpiqet që ta izolojë, ta paralizojë zhvillimin dhe të dëmtojë sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga, para pak kohe mori pjesë në Samitin e Varshavës, ku ishte i pranishëm edhe Barack Obama, dhe në festën e përvjetorit të Italisë në Romë, Boris Tadici anuloi pjesëmarrjen e tij pikërisht për këtë. Një sjellje e tillë nuk flet shumë për një politikan që mbështetet në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka thënë Hoxhaj në intervistën për Frankfurter Allgemeine Zeitung. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment