Helikopterët nisin fluturimet mbi Lazarat

Policia e Gjirokastrës ka nisur kontrollet në zonat që njihen “si të nxehta” për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Helikopterët e policisë kanë nisur fluturimet operacionale mbi disa zona si ajo e Sopotit mbi fshatin Lazarat, ku sipas informacioneve të grumbulluara nga agjentët e antitrafikut, dyshohet se janë mbjellë sipërfaqe të mëdha me kanabis sativa. Ndonëse zyrtarisht, drejtori i policisë së qarkut, Drejtuesi i Parë Emri Vata, nuk pranon përfshirjen e helikopterëve në operacione, ai pohon intensifikimin e masave operacionale të policisë. Sipas tij, ato janë ndarë në tri faza: sensibilizim, monitorim, goditje, dhe që aktualisht, sipas tij, operacionet janë fokusuar në fazën e dytë, atë të monitorimit të zonave.

Ndërkohë që vazhdon një kontroll i rreptë i akseve rrugore nacionale dhe si pasojë vetëm në dy javët e fundit Policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur zhvillimin e tri operacioneve, ku janë sekuestruar gjithsej 270 kg lëndë narkotike, për të cilat janë prangosur gjashtë persona nga rrethe të ndryshme të vendit.

Në kuadër të intensifikimit të masave, Lazarati, si zona më e nxehtë për vite me radhë në Qarkun e Gjirokastrës, duket se këtë vit nuk do të jetë i përjashtuar nga operacionet policore. Gjatë një prononcimi për mediat, ben te ditur "Shqip", kreu i policisë së qarkut, Emri Vata, është shprehur mbi punën e deritanishme të efektivëve, të cilët kanë për qëllim goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. “Policia e Shtetit po bën ç’është e mundur të minimizojë vatrat apo zonat ku ka kultivim të bimëve narkotike dhe në këtë drejtim mund të them se kemi rezultate të mira. Prioritet për Policinë Shtetit dhe atë të Gjirokastrës, do të jetë lufta ndaj kultivimit e më pas vjen ajo e trafikimit, ku vetëm në ditët e fundit janë finalizuar me sukses tri operacione, të cilat bënë të mundur sekuestrimin e 270 kilogramëve lëndë narkotike, si dhe arrestimin në flagrancë të gjashtë personave nga rrethe të ndryshme të vendit”, është shprehur dje drejtori i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Emri Vata.

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment