Haxhinasto: Rajoni duhet të përfshihet në BE.

Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e Malit të Zi Milan Rocen ka deklaruar se i vetmi skenar për Ballkanin është integrimi i rajonit në Bashkimin Europian. Përsa i përket deklaratave për ndarje territoresh ka theksuar se këto janë teza të dështuara që i bëjnë dëm vetëm politikanëve që i promovojnë ato.
“Kufijtë duken të parëndësishëm, domethënë që njerëzit të lëvizin të lirë dhe të gjithë popujt e Ballkanit të respektojnë vlerat e BE-së, dhe çdo përpjekje tjetër për të deformuar këto vlera i krijojnë dëm politikanëve që i promovojnë ato” theksoi Haxhinasto

Ndërkohë në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor Haxhinasto theksoi se duhet të respektohet kushtetuta dhe ligjet e vendit.

“Shqipëria operon nëpërmjet kushtetutës dhe jo nëpërmjet deklaratave të çdokujt tjetër. Këto ligje dhe kushtetua jonë janë në përputhje të plotë me ligjet shqiptare dhe në përputhje me të gjitha konventat ndërkombëtare. Uroj që veprimet e PS-së të jenë në përputhje me veprimet demokratike dhe të respektojë vendimin e këtyre institucioneve” theksoi Haxhinasto.
Ministri i jashtëm i Malit të Zi, Rocen ka deklaruar se çështjet e hapura të Ballkanit nuk duhet të bëhen barrierë për integrimin e rajonit në Bashkimin Europian.

“Qëllimi i rajonit është integrimi. Ne të gjithë duhet të përfshijmë Kosovën në të gjitha iniciativat rajonale por kjo nuk do të thotë që të mos përfshijmë Serbinë. Është e vërtetë që ne donim që të përparonim më shpejt por me durim të gjithë do të ecim drejt BE-së” theksoi Rocen.

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment