Guvernatori i BSH Fullani, ekonomia shqiptare është rritur me 3.9%

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani ka prezantuar të enjten (09 Qershor 2011) në parlament raportin ekonomik për vitin 2010.

Sipas Fullanit, gjatë vitit 2010 Shqipëria ka njohur rritje ekonomike me 3.9% si dhe ka arritur të mbajë vlerat e inflacionit në nivele të pranueshme dhe brenda objektivit të parashikuar.

Guvernatori Fullani ka vlerësuar gjithashtu edhe rolin e bankave të nivelit të dytë në financimin e ekonomisë. Sipas tij sistemi bankar ka vijuar kreditimin, megjithëse me ritme të ngadalta, gjë që është e kuptueshme në këtë kohë krize ekonomike botërore.

Më tej z. Fullani i ka sugjeruar qeverisë shqiptare që të fokusohet më tepër tek thithja e investimeve të huaja dhe vendase si dhe tek reformat strukturore.

“Vazhdimi i reformës strukturore duhet të orientohet në objektiva ambiciozë dhe një horizont kohor realist. Reformat strukturore duhet të synojnë krijimin e një klime akoma më tërheqëse për investimet e huaja dhe ato vendase, nxitjen e punësimit dhe rritjen e mëtejshme të mirëqenies”, – u shpreh Fullani. Në fund të deklaratës së guvernatorit të BSh, parlamenti ka vendosur miratimin e raportit me 73 vota pro.

(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment