Grekët shesin shtëpitë

Qeveria greke ka ndryshuar ditët e fundit një ligj 85-vjeçar duke u dhënë më në fund mundësinë, sidomos shtetasve shqiptarë, të blejnë një shtëpi, apo një sipërfaqe toke në Selanik, në zonën turistike të Halkidhikisë apo zonat kufitare të vendit.

Deri dje ishte tepër e vështirë për banorët e shteteve fqinje, si Shqipëria apo Turqia, të blinin një shtëpi apo një sipërfaqe toke, në zonat kufitare, për arsye të një ligji të vitit 1926 që ndalonte blerjen nga fqinjët në Greqinë Perëndimore si dhe në zonën e Evros.

Në dy dekadat e fundit, blerjet e rralla kryheshin vetëm me leje të veçanta nga Ministria e Mbrojtjes, një leje që kërkonte dhjetëra procedura burokratike, që zgjasnin për muaj me rradhë dhe kushtonin. Por ajo që shkaktonte habi ishte edhe fakti se si zona kufitare përcaktoheshin edhe qyteti i Selanikut dhe zona e Halkidhikisë, që gjeografikisht nuk janë të tilla.

Kriza e rëndë ekonomike ka goditur në një shkallë të madhe sektorin e ndërtimit dhe qeveria greke me këtë ndryshim kërkon t’i japë një frymëmarrje tregut të shitjes së banesave, sidomos në qytetin e Selanikut ku ka më shumë se 15.000 apartamente të reja të pashitura në vitet e fundit. Ministri i Mbrojtjes, Evangjelos Venizelos, ka bërë dy ndërhyrje në ligjin përkatës dhe ka thjeshtëzuar procedurën për lejen e posaçme që tashmë del brenda një muaji, ndërsa Selaniku dhe Halkidhikia nuk quhen më si zona kufitare.

Specialistët e tregut e cilësojnë këtë veprim si zgjidhje të mirë, por të vonuar sepse në këtë periudhë krize askush prej banorëve dhe aq më tepër emigrantët shqiptarë që jetojnë këtu nuk kanë tendencën, tani për tani, të kryejnë një blerje shtëpie apo toke, për arsye të pasigurisë për të nesërmen dhe sidomos për shkak të çmimeve që ende ngelen në nivele të larta.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment