Gjysmë shekulli në një dimension të ri

50 vjet më parë, më 12 prill të vitit 1961, kozmonauti sovjetik Juri Gagarin hapi një faqe të re në historinë e njerëzimit me realizimin e fluturimit të parë të pilotuar në hapësirën kozmike. Që nga viti 2011 me propozimin e Rusisë 12 prilli u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së si Dita Ndërkombëtare e fluturimit të njeriut në kozmos. Iniciativën e mbështetën më tepër se 60 shtete të botës. Në intervistën e tij dhënë Televizionit Qendror të Kinës në vigjilje të vizitës së vet në këtë vend Presidenti Dimitri Medvediev e quajti fluturimin e Juri Gagarinit ngjarje revolucionare: “- Unë jam mëse i bindur se ajo ishte një ngjarje krejtësisht revolucionare dhe absolutisht simbolike, megjithëse unë në kohën kur Juri Gagarini fluturoi në kozmos nuk kisha lindur akoma. Pas kësaj e gjithë bota u nda në kohën që pat ekzistuar deri para fluturimit të njeriut në kozmos dhe në atë që u bë epokë kozmike. Që nga ajo kohë u arrit të bëhen mjaft gjëra: u realizuan shumë fluturime në kozmos, njeriu shkeli në Hënë, një numër i madh vendesh nisën në orbitë kozmonautët e vet. Por pavarësisht nga të gjitha këto, rëndësia e kësaj ngjarjeje mbetet si evenimenti themelor i zhvillimit të gjeniut njerëzor, meqenëse ishte tejet e rëndësishme megjithatë që të bëhej hapi i parë. Dhe unë krenohem tej mase me vetë faktin se këtë hap e ndërmorri vendi im”, - u shpreh Dimitri Medvediev. Në ditët tona eksplorimi i kozmosit është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin e telekomunikacioneve, garantimin e sigurisë, monitorimin e situatës ekologjike, studimin e burimeve natyrore, parashikimin e motit si dhe me shumë sfera të tjera të veprimtarisë së njeriut. Gjatë kësaj njerëzimi, si dhe më parë, vazhdon të synojë drejt njohjes, eksplorimit të planeteve të tjera, vështrimi i tij është drejtuar nga e panjohura. Hulumtimet e kozmosit aktualisht janë bërë më pragmatike, por mbeten megjithatë edhe pikëpamjet, përfytyrimet idealiste, theksoi Dimitri Medvediev. Në vigjilje të Ditës së Kozmonautikës Presidenti rus nderoi me titullin Hero i Rusisë kozmonautët Sergei Vollkov dhe Oleg Kononenko për punën e tyre në përbërjen e ekspeditës së 17-të kryesore të Stacionit Kozmik Ndërkombëtar në vitin 2008. Rusia ka përgatitur një seri të tërë aktivitetesh festive për nder të jubileut të fluturimit historik kozmik të Juri Gagarinit. Për pjesëmarrje në to janë ftuar kozmonautë rusë dhe të huaj, veteranë të degës kozmike, ambasadorë, veprimtarë të shquar shoqërorë dhe shtetërorë. Kështu, më 12 prill në Kremlin do të zhvillohet takimi i drejtuesve të rreth 40 agjencive të huaja kozmike, kurse në mbrëmje në kryeqytetin rus do të hidhen fishekzjarret festive me 50 batare - në përputhje me numrin e viteve që kaluan nga momenti i fluturimit të parë të njeriut në kozmos. Një ditë më pas në Moskë me koncertin e vet të vetëm do të debutojë grupi legjendar francez Spase.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment