Gjykatat, PD rrëzon 4 kandidatë të Topit

Maxhoranca nuk do të votojë për tri kandidatura të Presidentit për në Gjykatën Kushtetuese.Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni i Ligjeve vendosi dje të mos dërgojë për votim në Kuvend kandidaturat e Artan Hoxhës, Edlira Jorgaqit dhe Adrian Lekës, por të miratojë vetëm kandidaturën e Fatmir Hoxhës. Nga ana tjetër, do të votohen kandidaturat e Edmond Islamajt dhe Shkëlzen Selimit për në Gjykatën e Lartë, por do të rrëzohet Manjola Bejleri. Kandidatura e Bejlerit jo vetëm që do të rrëzohet, por Komisioni i Ligjeve do t’i kërkojë Ministrisë së Drejtësisë të nisë një procedim ndaj saj, pasi pretendohet se ka pasur shkelje të mëdha në detyrën si gjyqtare në Tiranë. Kështu, në total, maxhoranca do të pranojë vetëm tri dekrete dhe do të rrëzojë katër prej tyre. Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do t’i bëjë me dije kreut të shtetit, Topi, se këto tri kandidatura nuk do të votohen për në Kushtetuese dhe duhet të pritet afati trevjeçar, sipas vendimit të para pak ditëve të Gjykatës Kushtetuese. Këtë lëvizje maxhoranca e bëri vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese mori vendimin. Në këtë mënyrë, tre prej gjyqtarëve të saj do të përfitojnë një mandat 12-vjeçar. “Në këto rrethana do të sugjeroja, të nderuar kolegë, që ne të mund të dalim si Komision me një propozim të tillë, t’i përcjellim Kuvendit vazhdimin e procedurës për kandidaturën që Komisioni ka gjetur në përputhje me kriteret që Parlamenti për vlefshmërinë e kandidaturave për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe, nga ana tjetër, të përcjellim propozimin për kryetaren e Kuvendit për tri kandidaturat e tjera. Këto kandidatura të mund të kthehen mbrapsht dhe të riparaqiten në afatin që përcakton Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese që e rikonfirmon”, tha Ilir Rusmali, kryetari i Komisionit të Ligjeve. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Viktor Gumi, u shpreh se kjo është mënyra e vetme që Parlamenti mund të bëjë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese vendosi interpretimin e nenit 125 të Kushtetutës, i cili sanksionon dy parime të rëndësishme për garantimin e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese. Parimi i qëndrueshmërisë në përbërjen e Gjykatës dhe parimi i garantimit të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues. Gumi u shpreh se në bazë të vendimit sanksionohet qartë se gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë janë interpretuesit e parë të normës kushtetuese.

Edmond Islamaj

Edmond Islamaj vjen nga sistemi i Drejtësisë në karrierë të gjatë si gjyqtar. Maxhoranca e ka vlerësuar figurën e tij dhe ka vendosur ta votojë për gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Maxhoranca ka vlerësuar kapacitete profesionale të tij. Vetë Islamaj ka thënë para Komisionit të Ligjeve se kandidatura e tij nuk është mbështetur nga lobe politike. “Në dijeninë time nuk ka pasur asnjë lobim nga ndonjë forcë politike apo influencë e çfarëdollojshme prej tyre në përzgjedhjen e Presidentit të Republikës të kandidaturës sime si anëtar i Gjykatës së Lartë”, tha thënë ai.

Shkëlzen Selimi

Shkëlzen Selimi vjen nga sistemi i Drejtësisë në punë të gjatë si gjyqtar dhe u vlerësua pozitivisht. Ai do të votohet nga maxhoranca për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Selimi do të mbahet mend në Komision për shkak të deklaratës së tij se gjatë punës si gjyqtar ka marrë presione, por që ka arritur t’i përballojë ato. “Gjatë ushtrimit të punës sime si gjyqtar kam pasur presione me ngjyrime politike të tentativave të korruptimit material dhe të karakterit kërcënues për vënien në rrezik të jetës sime apo dhe të familjarëve të mi”, ka thënë ai.

Fatmir Hoxha

Fatmir Hoxha është aktualisht kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër dhe do të votohet pro nga maxhoranca në Kuvend për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai u vlerësua për integritetin në punë dhe në karrierën e tij, por, nga ana e opozitës, është cilësuar si një kandidaturë e mangët. Sipas deputetëve të PS-së, Hoxha ka marrë notën 6 në të Drejtën Kushtetuese kur ka qenë në fakultet dhe nuk ka asnjë kualifikim shtesë për të qenë në këtë detyrë.

Edlira Jorgaqi

Edlira Jorgaqi punon aktualisht në Prokurorinë e Përgjithshme, pranë një drejtorie përkatëse. Ajo u rrëzua nga maxhoranca me argumentin se nuk plotëson kriteret profesionale, por e cilësoi edhe si kandidaturë politike. Ajo u akuzua për një vendim jo të drejtë që kishte dhënë për një çështje kur punonte në Ministrinë e Drejtësisë, në Drejtorinë e Kodifikimit. Jorgaqi nuk ka për t’u votuar në Parlament, duke u cilësuar në këtë mënyrë një kandidaturë e rrëzuar.

Artan Hoxha

Artan Hoxha është aktualisht avokat dhe pedagog, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë por ai u rrëzua nga maxhoranca për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Sipas PD-së, Artan Hoxha nuk e justifikon besimin për të qenë në këtë detyrë, pasi ka abuzuar me detyrën kur ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Për më tej, deputetët e PD-së kanë kërkuar sqarim në lidhje me pasurinë e tij, për një transaksion prej më se 200 mijë dollarësh që atij i kishte ardhur nga i vëllai në Meksikë.

Adrian Leka

Adrian Leka është aktualisht avokat penalist në Tiranë dhe ai u rrëzua nga maxhoranca për të mos qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Maxhoranca e rrëzoi atë me pretendimin se nuk plotëson kriteret profesionale. Nga ana tjetër, deputetët e PD-së janë shprehur në Komision se Leka nuk ka qenë i rregullt as me tatimet si avokat. Leka do të mbahet mend për batutat e tij të drejtpërdrejta me deputetët e Komisionit, duke pranuar në seancën e parë që “aspiratat e tij për në Gjykatën Kushtetuese

Manjola Bejleri

Manjola Bejleri është aktualisht gjyqtare në Shkallën e Parë në Tiranë dhe drejton edhe Shoqatën e Gjyqtarëve. Ajo u rrëzua nga maxhoranca me pretendimin se është jo e aftë profesionalisht. Gjatë seancës dëgjimore, por edhe në relacionin përkatës, PD pretendon se Bejleri ka kundërshtuar ligjin e dosjeve, është në konflikt interesi sepse ka qenë në grupin e punës kur u përzgjodhën kandidatët për gjyqtarë në Presidencë, ka pasur rezultate të dobëta në fakultet, me mesatare 7 e me fakultet me korrespondencë, ka marrë 0 vota nga kolegët për të qenë anëtarë e KLD-së. Për më tej, PD pretendon se Bejleri ka një mesatare tepër të dobët në punë, ku vite të caktuara, më se gjysma e vendimeve të saj janë kthyer nga Apeli.

Diskutimet në Komision

Viktor Gumi: Besoj dhe vlerësoj se Komisioni duhet t’i ushtrojë një të drejte një pike: çështja e rotacionit nuk shtrohet për një anëtar, çështja e rotacionit shtrohet për tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë kemi mbarimin e mandatit të gjyqtarëve kushtetues sipas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese. Duke marrë parasysh edhe prezumimin, në Kuvend janë shqyrtuar relacionet. Besoj se Komisioni duhet të vijojë procedurën në lidhje me propozimet që kemi bërë paraprakisht. Pra, dekretet, raportet e Komisionit të vijojnë me seancën plenare dhe ky të shikohet si një hap i parë i zgjidhjes përfundimtare të vendimit të Gjykatës Kushtetutës.
Paulina Hoti: Nga shifrat, statistikat dhe përqindja shumë e ulët e prishjes së vendimeve të kandidaturës së zonjës Bejleri, lehtësisht mund të konstatohet se performanca profesionale e saj nuk është ajo që kërkohet për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë. Propozoj për Komisionin t’i rekomandojë seancës plenare mosdhënien e pëlqimit për kandidaturën për anëtar të Gjykatës së Lartë zonjës Majlinda Bejleri.
Dashnor Sula: Paska një statistikë prej 50 përqindësh në rrëzimin e vendimeve dhe besoj se duhen masa disiplinore. Duke qenë që ka shumë shkelje, do të ishte në nderin tonë e të Komisionit që t’i paraqisnim një raport ministrit të Drejtësisë që të niste një procedim penal ndaj zonjës Bejleri.
Ilir Rusmali: Besoj se ky relacion që do të miratohet do t’i kalojë Ministrisë së Drejtësisë, e cila të veprojë brenda kompetencave të veta.
Edi Paloka: Duke qenë se kandidatura e z. Shkëlzen Selimi, dekretuar nga Presidenti i Republikës për anëtar të Gjykatës së Lartë, është një kandidaturë që garanton besueshmëri dhe jep garanci për publikun e gjerë për dhënien e drejtësisë për një gjykatë të pavarur, profesionale dhe të pakorruptuar, bazuar në dispozitat e Rregullores së Kuvendit, në përfundim të mbledhjes, në cilësinë e relatorit, i propozoj Komisionit të Ligjeve miratimin e kësaj kandidature në Komision dhe dërgimin e saj në seancë plenare, për t’iu nënshtruar votimit për dhënien e pëlqimit.
Ilir Rusmali: Ne vërtet kemi bërë relacione për të katër dekretet që na kanë ardhur. Në vlerësimin tim, në qoftë se ne do të vazhdonim të procedonim me të katër relacionet, sot praktikisht jemi duke neglizhuar paralajmërimin e rëndë që na jep Gjykata Kushtetuese për cenimin që mund t’i vijë parimit të rotacionit nga procedimi “un-block” për 4 kandidaturat. Në këto rrethana do të sugjeroja, të nderuar kolegë, që ne të mund të dalim me një propozim të tillë, t’i përcjellim Kuvendit vazhdimin e procedurës për kandidaturën që Komisioni ka gjetur në përputhje me kriteret që Parlamenti ka për vlefshmërinë e kandidaturave për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe, nga ana tjetër, të përcjellim propozimin për kryetaren e Kuvendit për tri kandidaturat e tjera. Këto kandidatura të mund të kthehen mbrapsht dhe të riparaqiten në afatin që përcakton Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese, që e rikonfirmon.

(ERALD KAPRI/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment