Gjykata rrëzon padinë e familjes shqiptare, kërkoi dëmshpërblim nga Dik Marti

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë e familjes Brama, e cila kërkonte 200 mijë euro dëmshpërblim nga senatori zviceran, Dick Marti me pretendimin se familjes i është cënuar reputacioni nga akuzat e ngritura prej tij në raportin për trafikun e organeve gjatë luftës së Kosovës.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat serbe. Sipas raportit të Dick Martit të publikuar në muajin Janar, bëhet fjalë pikërisht për të ashtuquajturën shtëpi, ku aludohet se anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vrarë serbë dhe organet e tyre i kanë vënë në dispozicion të trafikut të paligjshëm.

Raporti që ngjalli mjaft reagime në Kosovë, Shqipëri, por edhe në Këshillin e Europës, citonte se një rrjet kriminal i drejtuar nga Hashim Thaçi është marrë me trafik organesh nga serbët e marrë peng, gjatë kohës së konfliktit Serbi-Kosovë.

Po sipas mediave serbe gjykata e Tiranës, paska hedhur poshtë kërkesën e saj, “për shkak se ajo ishte e paplotë, se nuk jepte ndonjë provë konkrete kundër Martit”.

Nga ana e saj, Serbia i ka propozuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të caktojë ekspertë të pavarur dhe kompetentë që të hetojnë dhe zbulojnë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në fund të viteve ‘90 në Kosovë dhe dy të ashtuquajturat “shtëpi të verdha” në Shqipëri.

(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment