Gjykata rrëzoi padinë e familjes shqiptare ndaj Dick Martyt

Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë padinë e familjes Brama, e cila kërkonte 200 mijë euro dëmshpërblim nga senatori zviceran, Dick Marty, pasi kishte përmendur shtëpinë e saj në raportin për trafikun e organeve gjatë luftës së Kosovës.

Në raportin e tij për Këshillin e Evropës, Marty e ka përmendur shtëpinë e kësaj familje shqiptare, të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”, si vendin ku anëtarë të UÇK-së kanë vrarë serbë dhe organet e tyre i kanë vënë në dispozicion të tregtisë së paligjshme. Ky raport u publikua në janar dhe ngjalli mjaft reagime në Kosovë dhe Shqipërisë, por edhe në Evropë.

Familja Brama e hapi këtë proces gjyqësor ndaj Martyt, me pretendimin se i është cenuar reputacioni nga akuzat e ngritura prej tij. Por gjykata kompetente në Tiranë, siç citohet nga mediet serbe, e paska hedhur poshtë kërkesën e saj, “për shkak se ajo ishte e paplotë, se nuk jepte ndonjë provë konkrete kundër Martyt”.

Nga ana e saj, Serbia i ka propozuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të emërojë ekspertë të pavarur dhe kompetentë që të hetojnë dhe zbulojnë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në fund të viteve ‘90 në Kosovë dhe dy të ashtuquajturat “shtëpi të verdha” në Shqipëri.

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment