Gjermania ndryshon kurs, njeh Këshillin e rebeleve në Libi

Gjermania njohu qeverinë e rebelëve të Libisë si “përfaqësuese legjitime të popullit libian”.Vendi më i fuqishëm europian ishte distancuar nga lufta në Libi, duke krijuar një ide se nuk do të merrte pjesë as në “përzgjedhjet politike” të këtij vendi, ashtu siç nuk u përfshi në aksionet ushtarake. Politikanët opozitarë gjermanë, komentuesit e medias dhe ekspertë të politikës së jashtme e kritikuan ashpër qeverinë që nuk iu bashkëngjit fushatës ajrore të NATO-s, duke e akuzuar atë se po dështonte në respektimin e detyrimeve ndërkombëtare. Pozicionimi i vendosur i Gjermanisë kundër Muamar Gedafit u “vulos” në Samitin e G8-s, në Deuvill të Francës, ku të gjithë liderët njëzëri vendosën se “Gedafi duhet të largohet”. “Ne duam një Libi të lirë, në paqe dhe demokraci, pa Gedafin”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, gjatë vizitës së tij në qendrën e rebelëve libianë, në Benghazi. Duke folur përkrah ministrit të Jashtëm të KNT-së libiane, Ali Isavi, Vestervelle tha se “Në ndajmë një qëllim të përbashkët: Libinë pa Gedafin. Këshilli nacional është përfaqësuesi legjitim i popullit të Libisë”. Një nga zyrtarët e lartë rebelë, zv.kryetari i Këshillit, Abdel Hafez Ghoga, e mirëpriti vendimin e Gjermanisë si “një hap shumë të madh”. Gjermania u kritikua shumë në arenën ndërkombëtare, kur nuk e mbështeti rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila autorizonte aksionin e NATO-s për të mbrojtur civilët libianë. KNT lindi nga forcat që nisën një revoltë kundër kolonel Gedafit më 16 shkurt. Pas disa muajsh konflikti të përgjakshëm, kolonel Gedafi mbetet në krye të kryeqytetit, Tripoli, ndërsa rebelët mbajnë Benghazin dhe pjesën më të madhe të lindjes.

Bota pret lëvizjen e Gedafit…luan shah me kampionin rus.

Ndërsa bota priste për lëvizjen e ardhshme të Moamar Gedafit, lideri libian u shfaq duke luajtur shah me kreun rus të Federatës Botërore të Shahut. Federata drejtohet nga ekscentriku Kirsan Ilyumzhinov, i cili deri vitin e kaluar ishte lider i Republikës Ruse të dominuar nga Budistët, Kalmykia. Televizioni shtetëror libian e tregoi Gedafin të veshur me të zeza dhe me syze dielli të errëta, duke luajtur shah të dielën pasdite me të ftuarin e tij rus. Ai dukej i paqartë se si luhej loja. Agjencia ruse, “Interfax” e citoi Ilyumzhinovin duke thënë se “Gedafi më tha se nuk e ka ndërmend të largohet nga Libia”. Nuk ishte e qartë se ku u zhvillua takimi. Rezidenca e Gedafit në Tripoli ka qenë sërish shënjestër e bombardimeve të NATO-s edhe të dielën.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment