Gjermania mbyll ambasadën në Sanna

Për shkak të shtimit të dhunës në Jemen, Gjermania ka tërhequr diplomatët dhe i ka kërkuar të gjithë qytetarëve gjermanë të largohen. Presidenti Saleh u plagos së fundi gjatë një sulmi





"Shkeljet e të drejtave të njeriut, që kanë ndodhur së fundi në Jemen, nuk janë të pranueshme," tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle ditën e shtunë (04.06.2011) në kuadër të vizitës së tij në Hanoi, të Vietnamit. Ai deklaroi se për shkak të luftimeve të fundit, ekziston domosdoshmëria e tërheqjes së personelit nga Jemeni. Ministri gjerman, i kërkoi gjithashtu qytetarëve gjermanë t`i japin fund qëndrimit të tyre në Jemen, sapo kjo të jetë e mundur.

Edhe në Bashkimin Evropian, është duke u menduar si duhet reaguar ndaj gjendjes së përkeqësuar në Jemen. E ngarkuara e BE-së me politikën e Jashtme, Catherine Ashton tha në Bruksel se "ka aktivizuar mekanizmat e nevojshme për t`i lehtësuar qytetarëve të BE-së largimin nga Jemeni". Po ashtu janë vënë në lëvizje autoritetet e BE-së për mbrojtjen nga katastrofat (MIC). Nuk është bërë e ditur, sa evropianë ndodhet në Jemen. Shumë shtete kanë tërhequr diplomatët e tyre nga Sanaa, për arsye sigurie.Protestë kundër qeverisë

Mesazhe për qetësimin e popullit

Ndërkohë gjendja në Jemen vazhdon të tensionohet. Presidenti Ali Abdullah Saleh, u plagos ditën e premte gjatë një sulmi kundër rezidencës së tij. Gjatë sulmit u vranë gjashtë roje si dhe tetë përfaqësues të lartë të qeverisë, u bë e ditur nga burimet qeveritare. Në një mesazh të transmetuar të premten në mbrëmje nga televizioni shtetëror, presidenti i bëri thirrje forcave të armatosura që të luftojnë "bandat e armatosura", që sulmuan pallatin e tij.

Saleh, akuzoi klanet rivale të jenë përgjegjëse për sulmin dhe njoftoi se "do ta zhdukë bandën e bijve të Al- Ahmar-it". Shehu Sadek al- Ahmar, është një kryetar i pushtetshëm fisi, idhtarët e të cilit janë duke luftuar me trupat qeveritare që prej 23 majit. Ditën e premte, luftimet u zgjeruan nga lagja ku jeton Al Ahmari, në pjesë të tjera të qytetit. Trupat qeveritare i vunë ndër të tjera flakën një ndërtese të një televizioni privat, i cili i takon një prej vëllezërve të Al- Ahmarit.Demostrata në Jemen




Rritet presioni ndërkombëtar

SHBA, Bashkimi Evropian dhe Këshilli kooperativ i shteteve të Gjirit, si dhe Gjermania kanë kërkuar sërish ndalimin e dhunës. Ministri i Jashtëm gjerman, Westerwelle tha se prej disa javësh qeveria gjermane është duke ndjekur me shqetësim gjendjen në Jemen. Presidenti Saleh nuk e ka respektuar kërkesën për të mbrojtur popullsinë civile, për të kryer një "tranzicion me rend" dhe dialog paqësor. "Qeveria gjermane dënon ashpër çdo lloj përdorimi dhune," thuhet në deklaratën e ministrit të Jashtëm.

Më shumë se 370 vetë janë vrarë që prej fillimit në muajin janar të protestave kundër sundimit 33 vjeçar të Salehit, gati gjysma e tyre vetëm dhjetë ditët e fundit. Presidenti Saleh i ka refuzuar tre përpjekje ndërmjetësimi nga shtetet e Gjirit, pa marrë parasysh presionin ndërkombëtar. Me qëndrimin kokëfortë në post, Salehi i cili ka premtuar disa herë të largohet por nuk e ka bërë, ka prishur marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe SHBA-në.

Ekspertët druhen se ky shtet i varfër në gadishullin arab, mund të dështojë duke u kthyer në rrezik sigurie për të gjithë rajonin.

(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment