Gjeniu i verbër.

“Unë punoj DJ, punoj në një projekt kompjuterash që instruktoj të verbrit, luaj edhe futboll”.

Kështu shprehet Taulanti, djali 27-vjeçar që ka humbur plotësisht shikimin që në moshën 5-vjeçare. Por, siç e pohon dhe ai vetë, çdo ditë ka një jetë normale.

Çdo ditë zgjohet me dëshirën për të bërë diçka të re, të ndryshme nga ajo e një dite më parë, duke lënë kështu në një anë statusin e të verbrit.

Në studion video-grafike të Taulantit gjenden të gjitha aparaturat e nevojshme për të realizuar një montazh video. Duket e pamundur, por ka mësuar çdo buton të çdo paisjeje, kurse për të parë imazhin në ekran, gjithmonë arrin të shikojë përmes syve të krahut të tij të djathtë, bashkëshortes së tij Ela.

’’Në verë më vijnë shumë montazhe për të bërë, rreth 50-60. Pak a shumë kam mësuar miksazhin dhe me ndihmën e nuses arrij që të bëj një punë të mirë’’, thekson Taulanti.

Kjo është vetëm një pjesëz e mozaikut të aktiviteteve të djalit nga Kanina e Vlorës që prej 13 vjetësh është pjesë e ekipit të futbollit të të verbërve.

’’Kam luajtur me Vlorën, ku kam qenë kapiten. Kam luajtur me kombëtaren , ku sërish kam qenë kapiten dhe prej 3 vjetësh jam futbollist i ekipit të Elbasanit, sërish me statusin e kapitenit’’, tregon Taulanti.

Në çdo ndeshje futbollisti ynë shoqërohet nga tifozat e tij sistematik ndër të cilët na veçon tre më specialët: Mikelin, Baçin dhe Zamirin.

Është modest dhe me vështirësi e pohon para kamerave se ka fituar Topin e Artë dhe Takat e Arta, por jo vetëm kaq, FIFA e futbollit për të verbër e ka cilësuar si golashënuesin më të mirë të futbollit për të verbër.

’’Jam golashënuesi më i mirë i Ballkanit për futbollin e të verbërve që ka shënuar më shumë gola me një bluzë”, shprehet Taulanti.

Organoja dhe kompjuteri janë dy pasione të tjera që vazhdon t’i praktikojë çdo ditë. Engjëllushi na tregon për ndihmën që i jep Taulanti në mësimin e programeve në kompjuter: “Taulanti më ndihmon me praktikimin e uordit, exelit dhe si të navigoj në internet. Kjo ka shumë rëndësi në jetën e pëditshme, veçanërisht për të verbrit si mua që vazhdojnë shkollën e që duan të shkruajnë apo të printojnë diçka.”

Megjithatë, përveç jetës në komunitet, Landi është edhe familjar, edhe bashkëshort, madje edhe një mik i mirë. Ja çfarë na thotë Dashuria, nëna e kaninasit për jetën aktive të njërit prej 4 fëmijëve të saj: “Unë jam shumë e kënaqur me jetën që po bën djali im. Ai është shumë i angazhuar, megjithatë, një brengë e kam. Brengën që ai nuk sheh fare.”

Optimizmi është një nga karakteristikat kryesore të personazhit tonë. Por si është të duash dhe të jetosh me një njeri kaq të vecantë?

“Unë nuk e shoh atë sikur i mungon diçka, por si një njeri normal. Unë zgjodha atë se ai më zgjodhi mua”, thotë Ela, bashkëshortja e Landit.

Taulanti nuk e ka parë asnjëherë dashurinë e jetës së tij, por kjo nuk i pengon imagjinatën për të parë me sytë e mendjes dhe për ta shoqëruar edhe me disa doza humori që duket se nuk i mungojnë në asnjë moment: “Të them të bukur, i bëj qefin vetes, kështu që po them normale. E imagjinoj me flokë të gjata se është gjëja e vetme që kam fiksim se edhe vetë i kam pasur flokët e gjata, gëzohem që nuk ka trup më të gjatë se unë dhe me sytë sigurisht jo më të bukur se unë. Bëj shaka. Me pak fjalë është vajza e ëndrrave të mia.”

(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment