Gjendja e hekurudhave, Shqipëria e fundit në rajon

Shqipëria ka treg-uesit më të këqij në rajon për sa i përket situatës së hekurudhave në vend, e lidhur kjo me produktivitetin dhe dendësinë e trafikut.Nëse përqendrimi i qeverisë ka qenë infrastruktura rrugore dhe në të janë investuar miliarda lekë, për hekurudhat, që nga 2005-a, nuk është bërë pothuajse asgjë, si për sa i përket kuadrit rregullativ të funksionimit, ashtu edhe investimeve në sektor. Raporti më i fundit i Bankës Botërore, “Reforma hekurudhore në Europën juglindore dhe Turqi: në rrugën e duhur?” i rishikon hekurudhat e këtij rajoni pesë vjet pas studimit të parë të vitit 2005. Nga ky raport konkludohet se përafrimi me standardet që ka BE-ja mbetet ende larg. Së bashku me Shqipërinë, një performancë të keqe të këtij sektori e ka edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, ndër-kohë që Turqia mban radhën si vendi i parë që ka bërë përmirësimet më të mëdha si në rritjen e produktivitetit të hekurudhave, ashtu edhe në rritjen e trafikut në to. Por, cilat janë disa nga arsyet që Shqipëria ka tregues që nuk flasin aspak në favor të saj dhe standardeve aq të shumëkërkuara të BE-së. E para, sipas raportit të Bankës Botërore, lidhet me një sektor krejtësisht monopol i përqendruar në duart e shtetit. Ndërkohë që vendet e rajonit janë duke bërë tentativa privatizimi, të tilla janë Kosova dhe Mali i Zi, Shqipëria vazhdon ende me integrimin vertikal të sistemit. Pa dyshim një ndarje e infrastrukturës nga shërbimi përmes privatizimit do të ishte i sugjerueshëm. Ndërkaq, situata e vagonëve dhe lokolomtivave vijon të mbetet në gjendje të mjeruar, situatë që e kthen transportin hekurudhor në më pak të dëshirueshëm për pasagjerët, nga ana tjetër, edhe kuadri rregullativ që përcakton punën e institucioneve mbikëqyrëse, rekomandohet që duhet të përmirësohet.

447 kilometra
i gjatë është rrjeti hekurudhor shqiptar në linjë kryesore dhe 230 kilometra gjatësi në linjë sekondare. Ai shtrihet nga Veriu me stacion kufitar Bajzën, në Jug me stacion fundor Vlorën e deri në Lindje me stacion fundor Pogradecin

Kodi i ri Doganor, Sequi: Thjeshtohen procedurat

Harmonizimi i legjislacionit dhe procedurave doganore të BE-së me ato të Shqipërisë kanë qenë objektivi kryesor i punës që kanë bërë ekspertët austriakë dhe polakë në Kodin e ri Doganor të Shqipërisë. Gjatë një ceremonie të zhvilluar dje ministrit të Financave, Ridvan Bode, i’u dorëzua Kodi i ri, i cili është pjesë e një projekti binjakëzimi të financuar nga Bashkimi Europian me vlerën 2 milionë euro. Propozimet e bëra lidhur me versionin e ri të Kodit Doganor, synojnë në thjeshtimin e procedurave për bizneset, duke lehtësuar tregtinë dhe qarkullimin e lirë. Ky harmonizimi i Kodit vjen edhe si kërkesë e kohës e mbështetur nga integrimi i Shqipërisë drejt BE-së. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të Kodit Doganor, shefi i të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, u shpreh se harmonizimi i legjislacionit doganor të Shqipërisë me atë të BE-së do t’i shërbejë përmirësimit të klimës së biznesit. “Për bizneset, harmonizimi i procedurave doganore do të thotë parashikueshmëri, besueshmëri dhe efiçencë. Me fjalë të thjeshta, do të thotë tregti më të lehtë. Harmonizimi i procedurave doganore të Shqipërisë me ato të vendeve të BE-së do të thotë të provosh integrimin europian në një formë konkrete, të prekshme. Do të thotë të bëhesh pjesë e një tregu të gjerë, ku rregullat e lojës njihen, respektohen dhe janë nxitëse për biznesin” tha Sequi.

(NERTILA MAHO/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment