Garë e nxehtë për Shaqirin

Falë paraqitjeve të mira që i pati në dy sezonet e fundit me Baselin dhe përfaqësuesen e Zvicrës, Xherdan Shaqiri ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të njohura evropiane. Madje, gara e klubeve me famë në Evropë për t’i siguruar shërbimet e futbollistit kosovar secilën herë po nxehet më shumë.

Pas Manchester United edhe Liverpool ka hyrë në garë për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit të Baselit. Madje, mediat angleze paralajmërojnë se rivaliteti mes këtyre dy klubeve do të jetë shumë i madh për t’i siguruar shërbimet e Shaqirit gjatë kësaj vere.

19 vjeçari pritet të jetë njëri prej yjeve që do të shkëlqejnë në Kampionatin evropian U-21, i cili nisi të shtunën në Danimarkë. Në këtë eveniment do të marrin pjesë disa futbollistë të rinj e të talentuar, të kërkuar nga klube të njohura evropiane. Në mesin e tyre është edhe Xherdan Shaqiri.

Givemefootball.com ka shkruar se menaxherët e futbollistit janë të vetëdijshëm se ai është duke u monitoruar nga skautët e klubeve të ndryshme. Madje, portali i njohur zviceran blick.ch tashmë ka raportuar se zyrtarë të Manchester United kishin përcjellë futbollistin kosovar gjatë ndeshjes kualifikuese për ‘Euro 2012’ mes Anglisë e Zvicrës, e cila u zhvillua para një jave në Wembley.

Kurse, ueb faqja angleze Click Manchester tashmë ka njoftuar se skautë të Liverpoolit do ta monitorojnë Shaqirin në Danimarkë, ku po mbahet Kampionati evropian U-21. Sipas kësaj ueb faqeje, menaxheri i gjigantit anglez, Kenny Dalglish, është shumë i interesuar që gjatë këtij afati kalimtar ta transferojë kosovarin me pasaportë zvicerane, për të cilin tash e një kohë të gjatë interesim kanë shprehur edhe klube tjera të njohura angleze, italian e gjermane.

Sipas mediave angleze, nuk pritet që Liverpool t’i bëjë ofertë zyrtare Baselit për Shaqirin, para se të përfundojë Kampionati evropian U-21. Por, ky klub tash e një kohë të gjatë është duke u interesuar për t’i siguruar shërbimet e tij, derisa drejtori i Liverpoolit, Damien Comolli, njihet si një admirues i futbollistit shqiptar. Thuhej se Shaqiri ka rënë në radar të Reds prej dimrit të kaluar. Dhe, pasi dështuan ta transferojnë deri më tani një mesfushor ofanziv, një gjë të tillë mund ta bëjnë gjatë kësaj vere duke u përforcuar me Shaqirin.

Kjo pasi mesfushori i përputhet edhe politikës së kryesisë së klubit për transferimin e lojtarëve të rinj.

Mirëpo, Liverpool nuk do ta ketë aq lehtë ta fitojë betejën me Manchester United për ta transferuar Shaqirin. Menaxheri i Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson, vështirë se do të heqë dorë aq lehtë nga Shaqiri, kur dihet se skuadra e tij deri më tani secilën herë i ka intensifikuar përpjekjet për ta përmbyllë me sukses transferimin e tij.

Manchester United ka fonde të mjaftueshme në dispozicion për ta kryer këtë operacion, edhe pse Basel ende nuk e ka bërë të ditur saktësisht çmimin për futbollistin. Edhe Aston Villa thuhet se është e interesuar për Shaqirin, por situata aktuale në të cilën gjendet kjo skuadër rreth gjetjes së një menaxheri do të thotë se vështirë që do t’ia del të përforcohet me Shaqirin.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment