Fyle: Vendimi për numërimin e ‘votave të gabuara”, i paqartë

Takimi i zhvilluar dje mes Bashkimit Europian dhe deputetëve shqiptarë, është fokusuar tërësisht tek kriza në të cilën ka hyrë vendi ynë. Si asnjëherë më parë, kjo mbledhje është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, shpërndau një deklaratë pas këtij takimi, në të cilin shprehet i shqetësuar për situatën. Fyle thotë se zgjedhjet përgjithësisht mirë, deri tek rezultati për Tiranën, që krijoi një situatë të vështirë.

“Përgatitja e zgjedhjeve lokale dhe votimi më 8 maj ishin në përgjithësi pa trazira e të qeta dhe pavarësisht disa parregullesive procesi u vlerësua nga të gjithë vëzhguesit si pozitiv në përgjithësi. Numërimi, megjithëse i vonuar e i ndërprerë në disa raste, u konsiderua gjithashtu se funksionoi mirë dhe ishte transparent. Për fat të keq, një situatë shumë e vështirë erdhi si pasojë e problemeve në tabulatin për rezultatet e Tiranës”, thuhet në deklaratën e Fyles.

“Ekzistojnë në të vërtetë interpretime të ndryshme mbi të ashtuquajturat ‘vota të gabuara’. OSBE-ODIHR në raportin e 20 majit thotë: Kodi Elektoral nuk rregullon drejtpërdrejt vlefshmërinë e votave të gjetura në kuti të ndryshme nga ajo korresponduese për tipin e zgjedhjes së asaj vote. Dhe, as nuk parashikon një procedurë për të rakorduar fletët e votimit në kutitë e tjera”, vijohet në deklaratë.

Në të thuhet se ai mbështet qendrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës Thorbjorn Jagland, i cili i ka dërguar një letër Berishës, ku i thotë se do të kërkojë vetë mendimin e Komisionit të Venecias.

Fyle ndërkohë ka thënë se partitë politike duhet të hyjnë në dialog, në mënyrë që të bëhet një reformë e Kodit Zgjedhor.

“Eshte e dukshme se një reformë gjithëpërfshirëse e Kodit Zgjedhor është e nevojshme dhe duhet kryer nga shumica qeverisëse së bashku me opozitën dhe shoqërinë civile. Kjo mund të arrihet vetëm nëse partitë politike, dhe ju, politikanët që përfaqësoni popullin e Shqipërisë, gjeni menyrën për të biseduar së bashku dhe të merrni vendimet e domosdoshme në interes të vendit e të shtetasve të tij”, thotë Fyle.

Takimet e komitetit ndërparlamentar BE-Shqipëri vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, sërish me dyer të mbyllura.
(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment