Fyle “harron” Berishën

Komisionari për Zgjerimin, Stefan Fyle, e ka parë si një mundësi të mirë samitin e Partive Popullore Evropiane për të takuar drejtuesit e disa prej shteteve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Por ai nuk ka takuar kryeministrin Sali Berisha. Zyra e tij është justifikuar duke thënë se nuk e dinte se Berisha ishte në Bruksel.

Megjithatë kryeministri Sali Berisha ka arritur të shtrëngojë duart me disa nga krerët e partive më të mëdha në Europë gjatë një samiti të Partive Popullore Europiane, pa mundur të shkëpusë asnjë takim më vete me ta. Megjithatë në faqen e kryeministrisë flitet për takime të përzemërta.

“Kryeministri Berisha zhvilloi takime e biseda të përzemërta me Kancelaren gjermane Angela Merkel, me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, me Presidentin e Komisionit Europian José Manuel Barroso, me Kryeministrin hungarez Viktor Orban, me Kryeministrin e Belgjikës Yves Leterme, me Kryeministrin e ri të Portugalisë Pedro Passos Coelho, me Kryeministrin e Irlandës Enda Kenny, Kryeministrin e Finlandës Jyrki Katainen, Kryeministrin e Suedisë Fredrik Reinfeldt, me zëvendëskryeministrin e Danimarkës Lars Barfoed,” thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

E meqë nuk ka mundur të ketë ndonjë takim me ndonjë lider evropian, ai ka zgjedhur të takojë një lider aziatik, presidentin e Azerbajxhanit. Në një njoftim të kryeministrisë thuhet se presidenti i Azerbajxhanit e ka ftuar Berishën për një vizitë atje, dhe ai ka pranuar me shumë kënaqësi.

Për më tepër Berisha ka marrë pjesë në forumin e Krans Montanës, ku ka mbajtur një fjalim të gjatë për mundësitë e investimit në Shqipëri, edhe pse tema e këtij samiti ishte Azerbajxhani.

E pasi ka mbaruar këtë shfaqje, ai ka mbledhur mediat e tij pranë vetes dhe ka dhënë një intervistë ku ka folur për situatën në Tiranë. Më poshtë pyetjet e përgjigjet.


- Këto dy ditë Evropa diskuton për krizën greke. Ju si jeni ndjerë për ekonominë shqiptare sot?



Kryeministri Berisha: Ekonomia shqiptare në të gjitha vlerësimet nuk ka njohur dhe nuk do të njohë recesionin. E vërteta është që kriza aktuale e borxheve, le ta quajmë kështu, është një krizë shumë problematike. Një krizë, e cila në Samitin që sapo përfundoi mori një pjesë të gjerë të diskutimit. Por shqiptarët dhe Shqipëria, në saj të modelit ekonomik të aplikuar nga qeveria, janë tërësisht jashtë krize. Në rast se këto do të kishin qenë biseda të hapura, ju do të dëgjonit kryeministra të raportonin se “shkurtuam rrogat me 25 përqind”. Këtë e deklaronin për t’ia ofruar si model kolegut tjetër që kish probleme. Ata raportonin se “duhet të ulen pensionet në këtë masë, se duhen shkurtime të tjera shumë të dhimbshme”. E vërteta është se kjo krizë ka imponuar shkurtimet më të dhimbshme të shpenzimeve të njohura ndonjëherë. Sikundër, edhe rritje të madhe të taksave. Edhe kjo është po kaq e dhimbshme.



Fatmirësisht Shqipëria po performon në mënyrë të qëndrueshme. Ka pasur vitin e kaluar një rritje prej 4 përqind, këtë vit kemi parashikuar një rritje prej 5 përqind. Pra mund të themi se projektet e qeverisë në transformimin e infrastrukturës, në konsolidimin e një sistemi arsimor që të mbështesë fuqishëm ëndrrën e shqiptarëve për një Shqipëri të zhvilluar, projektet e Shqipërisë në moshën dixhitale, projektet e mëdha kombëtare për shndërrimin e Shqipërisë në kopshtin më të bukur të Europës, që po ndodh çdo ditë, vazhdojnë të subvencionohen në mënyrë të pandërprerë. Gjatë Samitit, unë para rastin të bisedoj me të gjithë të pranishmit, si për zhvillimet ashtu dhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë, për përpjekjet e qeverisë për Shqipërinë vend të zhvilluar në vitin 2017.



- Zoti Berisha, 16 ligje që kërkojnë 3/5 e votave nuk janë miratuar në Parlament, çka ka frenuar edhe reformat e integrimit. Si do ta zgjidhni këtë problem nëse opozita do të vazhdojë të bojkotojë?



Kryeministri Berisha: Unë mendoj se përdorimi i fuqisë dhe i pushtetit që të kanë dhënë zgjedhësit për të bllokuar dhe jo për të votuar, sigurisht që ka një çmim për vendin, por çmimin më të madh e ka për atë që e përdor në këtë mënyrë. Uroj dhe dëshiroj që në ofertën e bërë nga qeveria edhe para 3 ditës, dhe që sërish do të përsëritët, opozita të përfitojë për të dhënë kontributin e saj real në proceset e integrimit. Shteti ligjor është kushti më themelor për funksionimin e një shoqërie të lirë, është kushti më themelor për veprimtarinë normale të një opozite, por është njëkohësisht dhe kushti i të gjitha kushteve për suksesin e reformave. Ndaj në kuadrin e këtij parimi të madh mendoj se të gjitha zgjidhjet janë të mundshme. Opozita është e ftuar të bëj të gjitha amendamentet. Opozita është e ftuar të bëjë të gjithë propozimet e të gjitha kandidaturave që janë më 3/5. Uroj dhe dëshiroj që ta lexojnë mesazhin siç duhet. Opozita e lexon, por ca të tjerë që donin të përfitonin nga kjo lloj ofertë ngatërruan edhe mediat, mirë të tjerat.



- Opozita ka deklaruar sërish se do ta ankimojë rezultatin e Tiranës. A ju shqetëson ky fakt, i cili më së pakti do ta zvarrisë procesin?



Kryeministri Berisha: Aspak nuk më shqetëson. Opozita dhe çdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës. E rëndësishme është që duhet t’i shprehim besim gjykatës dhe jo një vendim që na pëlqen e duartrokasim, vendimin tjetër që s’na pëlqen e anatemojmë. Opozita dhe kushdo ka të drejtë t’i drejtohet, në përputhje me ligjin. Kjo është normale.
(gazetatema.net)



No comments:

Post a Comment